BIK-u formon komision hetimor për çështjen e mishit të prishur

29 gusht 2019 | 14:09

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK) ka mbajtur të enjten një mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilën ka shqyrtuar gjendjen e krijuar pas prishjes së një sasie të mishit të kurbanit të therur në një thertoren në Istog.

Kryesia e BIK-ut pasi ka dëgjuar raportin e Komisionit të Kurbanit për ecurinë e aksionit të therjes së kurbaneve gjatë ditëve të Kurban Bajramit, pastaj për hapat që kanë marrë pas shfaqjes së dyshimit për cilësinë e mishit, ka marrë vendim që të formojë një komision hetues, i cili do të zbardh rrethanat dhe shkaqet që çuan në prishjen e mishit.

“Komisioni ka për detyrë që në afat prej një muaji të shqyrtoj dhe analizoj të gjitha rrethanat dhe në bazë të të gjeturave të përgatit raport, në bazë të së cilit Kryesia do të ndërmarrë masat e duhura. Kryesia e BIK-ut në mbledhjen e sotme edhe njëherë shprehu përkushtimin e saj në realizimin e plotë të amaneteve që na janë besuar nga besimtarët, ndërsa për këtë që ka ndodhur kësaj radhe, Kryesia e BIK-ut kërkon ndjesë nga besimtarët tanë të devotshëm, të cilëve u rikujtojmë edhe njëherë se nijeti i tyre për kurban është realizuar plotësisht”.

“Kryesia e BIK-ut i kërkon ndjesë e falje edhe kategorive sociale si përfituese të drejtpërdrejta të mishit të kurbanit si palë e dëmtuar. Në të ardhmen do të merren të gjitha masat e duhura që gjërat e tilla të mos na ndodhin. Njoftojmë opinionin edhe njëherë se ka arritur një kontingjent i mishit të kurbanit që është therur në Hungari dhe se i njëjti do t’u shpërndahet nevojtarëve në ditët në vijim. Mishi i ardhur nga Hungaria është i sigurt dhe i cilësisë shumë të mirë”, është thënë në njoftimin e BIK-ut.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reprezentuesi i Kosovës në futboll, Vedat Muriqi e ka nisur…