Dështon koalicioni Vetëvendosje-Alternativa

30 gusht 2019 | 20:50

Alternativa që udhëhiqet nga Mimoza Kusari-Lila, përmes një njoftim për media ka njoftuar se nuk ka arritur koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

Si arsyetim për moslidhjen e koalicionit mes LV-së dhe Alternativës thuhet të jetë mos pranimi i identitetit të Alternativës nga LV-ja.

Njoftimi i plotë nga Alternativa:

Të dashur miq e përkrahës,

Përderisa po afron afati i fundit për mundësitë e certifikimit të koalicioneve parazgjedhore, më lejoni të ju komunikojë se Alternativa NUK ka arritur marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje.

Arsyeja e këtij rezultati është mospranimi i identitetit të Alternativës nga ana e VV-së.

Nga komunikimet e mia direkte me Kryetarin e VV-së, Albin Kurti, dje jam njoftuar për herë të parë zyrtarisht, se pjesëmarrja jonë në zgjedhje në listë të përbashkët, kushtëzohet me inkuadrimin tonë në listë të VV-së pa shenja dhe emërtim zyrtar të Alternativës si pjesë e koalicionit.

Të dashur miq,

Alternativa si parti e re ka kaluar dhe po kalon në sfida të ndryshme, por një ka qenë konsistente dhe mbetet gjithmonë për ne: të qëndruarit besnik vlerave dhe parimeve liberal demokrate.

Njerëz të përkushtuar dhe profesionist rrugëtojnë me ne në këtë identitet i cili nuk mund të humbet me kushtin e pjesëmarrjes në një listë zgjedhore.

Ne jemi parti e vlerave shtetëndërtuese dhe mbesim të përkushtuar të punojmë për shtetin e Kosovës pjesë e familjes Evropiane.

Ne kemi besuar në krijimin e një blloku të përbashkët me synim ndryshimin e situatës aktuale në Kosovë. Asnjëherë dhe askënd nuk e kemi kushtëzuar me pozita në listë, me pozita në qeverisje pas zgjedhjeve dhe as me favore tjera në dëm të interesit të vendit.

Të vetmen kërkesë legjitime dhe bazike e kemi, të jetë e njohur prezenca jonë në procesin zgjedhor dhe në partneritet me partitë tjera si dhe bashkërendimi i pikave programore për qeverisje.

Oferta për koalicion kemi pasur edhe nga partitë tjera, por, ende nuk ka vendim për koalicion parazgjedhor.

Në rastin e fundit dhe në mos mundësi të arritjes së një marrëveshje me njëren nga partitë e opozitës, ne jemi të përkushtuar të garojmë vetë me përkushtim të prezantimit të programit qeverisës progresiv dhe me bazë të qeverisjes me transparencë dhe llogaridhënie.

Ju faleminderit për interesimin dhe besimin në Alternativë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një i ri me shumë ndjekës në Instagram që pozonte…