Pas 6 tetorit Kadri Veseli do të jetë kryeministër

02 shtator 2019 | 10:26

Kryetari i Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Gjilan, Qemajl Mustafa, ka thënë se kjo parti nuk ka dashur të bëjë koalicione parazgjedhore meqë ato e kanë dëmtuar në të kaluarën.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se gara zgjedhore e 6 tetorit do të jetë interesante dhe konkurruese.

Sipas Mustafës,  PDK-ja dhe LDK-ja do të garojnë për vend të parë, kurse LV-ja dhe koalicioni AAK-PSD për vendin e tretë.

“Ne nuk kemi tentuar të bëjmë koalicion parazgjedhor sepse nga kjo lidhje kemi pasur mjaft dëme nga e kaluara. Lidhja parazgjedhore e quajtur PAN vetëm sa i ka sjellë dëme të mëdha PDK-së. I ka bërë dëm të konsiderueshëm në vota, por edhe gjatë gjithë mandatit të z. Haradinaj me krejt skandalet e bëra nga ai dhe qeverisja e tij. Gara do të jetë interesante dhe mjaft konkurruese, sepse ata që po garojnë kësaj here kanë trup relativisht të mirë zgjedhor. Janë dy partitë e mëdha që tradicionalisht janë rivale dhe luftojnë për vendin e parë dhe LV-ja e AAK-ja me PSD-në që luftojnë për vendin tretë dhe të katërt”, është shprehur ai.

Mustafa ka thënë se PDK-ja do të jetë alternativa më e mirë për qytetarët e Kosovës edhe në këto zgjedhje.

“PDK-ja me reformën e saj të brendshme dhe me risitë programore dhe në listën e kandidatëve do të jetë larg më atraktive dhe më joshëse për publikun e Kosovës. Ka pasur edhe ndonjë lëshim e gabim nga e kaluara, por PDK-ja di dhe guxon edhe të korrigjohet, edhe të vazhdojë të marrë vendime të mira e të mëdha”, ka theksuar ai, duke shtuar se PDK-ja sa e ka të metë qeverisjen e gjatë, atë e ka edhe përparësi.

“Asaj populli i Kosovës i beson për vendimet e mëdha dhe të mirat që ia ka sjellë këtij vendi, por edhe e akuzon për disa gabime dhe lëshime”, ka deklaruar Mustafa.

Sipas tij, vetëm PDK-ja dhe Kadri Veseli mund të marrin vendime të mëdha dhe ta luftojnë krimin e korrupsionin.

“Krimi dhe korrupsioni janë kontribut i të gjithëve që e qeverisen Kosovën. PDK-së i vishen më shumë gabime sepse qeverisi më së gjati, por asaj edhe i jepet merita nga populli për lirinë e vendit, për pavarësinë dhe për krejt makroinfrastrukturën që ka ndodhur në Kosovë. Ata që kanë ditur  të bëjnë kthesa historike nga e kaluara jo e largët, dinë të bëjnë edhe këtë kthesë të madhe e që është lufta e pakompromis sistemore e së keqes brenda nesh si krimi, korrupsioni dhe nepotizmi”, ka thënë Mustafa.

(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Protestat pro-demokracisë në Hong Kong pritet të vazhdojnë më 2…