Tahiri: Kurti po e përdor vdekjen e Deharit për interesa të veta politike 

12 shkurt 2018 | 20:41

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, në emisionin “Përballje” ka folur për sistemin e drejtësisë në Kosovë e në veçanti edhe për rastin e vdekjes në Qendrën e Paraburgimit të aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.

Tahiri ka thënë se ai personalisht dhe Qeveria e kanë trajtuar me shumë kujdes që nga fillimi rastin e Astrit Deharit, duke ndarë edhe mjete shtesë buxhetore për ekspertizën në Institutin që ka kërkuar familja Dehari në Zvicër.

Mirëpo, sipas Tahirit, Vetëvendosje me kryetarin e saj Albin Kurti po e përdorin vdekjen e Deharit për interesa politike.

“Kemi një keqpërdorim nga Albin Kurti për interesa të veta politike me e politizue ende këtë rast dhe me terrorizue edhe më tepër familjen Dehari”, ka deklaruar ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri.

Ai ka komentuar edhe votimin e rekomandimeve nga ana e Kuvendit të Kosovës për aktivistët që sipas Vetëvendosjes po mbahen padrejtësisht në burg dhe janë dënuar me mbi 21 vjet padrejtësisht e politikisht, pa asnjë fakt dhe vetëm në bazë të indicieve dhe paragjykimeve e insinuatave.

“Ky është sulm direkt ndaj gjyqësorit dhe prokurorisë, miratimi i këtyre rekomandimeve nga VV-ja. Është e paligjshme me kërkua shkarkimin e prokurorit, policisë, gjyqtarëve prej çfarëdo pozite dhe ky është një prej sulmeve më të rënda që ju është bërë institucioneve të drejtësisë”, ka thënë Tahiri në emisionin “Përballje” në RTV Dukagjini.

Sipas tij, e vërteta në rastin Dehari do të dalë edhe nga ekspertiza, mirëpo është i bindur që do të jetë e njëjtë me atë që ka ardhur nga institucionet e Kosovës.

“Ka pasur edhe deputetë të pozitës që i kanë votuar këto rekomandime, që cenojnë pavarësinë e punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe kjo është keq”, ka thënë mes tjerash Tahiri.

Ai ka folur edhe për procesin e reformave në sistemin e drejtësisë dhe tema të tjera që kanë të bëjnë rendin dhe ligjin në Kosovë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Princ Harry dhe Meghan Markle, pak javë para dasmës së…