Bizneset kërkojnë nga Qeveria e ardhshme të punojë më shumë në sundim efikas të ligjit

03 shtator 2019 | 16:22

Zbatimi i duhur i kornizës ligjore, reagimi në kohë dhe profesional i institucioneve në rastet kur cenohet konkurrenca e barabartë janë kyçe në zhvillimin e një mjedisi të favorshëm të biznesit si dhe në tërheqjen e investimeve të huaja, ndërsa krijimi i një gjykate të veçantë që do të trajtonte rastet e natyrës komerciale do të ndihmonte në përmirësimin e zbatueshmërisë së kontratave dhe rritjen e sigurisë juridike.

Kështu është thënë në tryezën e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), ku janë diskutuar rekomandimet e bizneseve ndaj Qeverisë së re rreth sundimit të ligjit në vend.

Presidenti i Bordit të Guvernatorëve të Odës Amerikane, Ilir Ibrahimi, ka thënë se sundimi i ligjit është padyshim një nga sfidat kryesore me të cilat ballafaqohet sektori privat. Ibrahimi ka theksuar se pavarësisht përpjekjeve për të reformuar këtë fushë, në të cilën kanë kontribuar edhe organizatat e huaja, ende mbetet shumë punë për t’u bërë.

Ndërsa, Blinera Osmani, eksperte për çështje ligjore dhe rregullative në IPKO, ka përmendur nevojën e interpretimit të mirëfilltë të dispozitave ligjore të cilat do të trajtonin barabartë edhe ndërmarrjet publike edhe ato private, siç është rasti me dispozitat e Ligjit për Prokurim Publik. Osmani ka ngritur si çështje problematike edhe vonesat në trajtimin e rasteve të mbrojtjes së konkurrencës, duke cekur nevojën e të pasurit të afateve ligjore brenda të cilave autoriteti përkatës duhet të trajtojë dhe japë opinionin e tij për pretendimet e caktuara.

Në anën tjetër, Ardi Shita, partner në kompaninë ligjore “Shita & Ibrahimaga”, ka theksuar rëndësinë e të pasurit një gjykate komerciale, të cilën e ka konsideruar si reformën më të rëndësishme në fushën e drejtësisë komerciale. Ai ka shprehur besimin e tij se krijimi i gjykatës komerciale do të mbetet prioritet edhe i qeverisë së re, duke e ditur se ajo do të ofrojë një mekanizëm të veçantë dhe shumë më efikas të trajtimit të rasteve komerciale, edhe për shkak të numrit disa herë më të madh që pritet të ketë kjo gjykatë.

Më tutje, Floran Pustina, partner në kompaninë ligjore “Tashko Pustina”, ka thënë se Kosova ka një legjislacion i cili është përafruar me atë të Bashkimit Evropian, mirëpo sipas tij zbatueshmëria e drejtë e ligjit vazhdon të jetë një ndër problemet më të mëdha për bizneset. Pustina ka deklaruar se administrata efikase shtetërore duhet të shkojë në hap me legjislacionin modern. Ai ka thënë se bizneset, profesionistët e lirë, konsulentët e bizneseve dhe odat ekonomike mund të ndihmojnë jo vetëm në draftimin e ligjeve, por edhe në interpretimin e tyre.

Një nga temat e potencuara gjatë diskutimit në tryezën e OEAK-ut ka qenë edhe nevoja për shmangien e praktikave të tepërta administrative në aktivitetet e të bërit biznes të cilat rrisin burokracinë dhe dekurajojnë investitorët e huaj.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka publikuar linkun ku mund të…