Dega e Alternativës në Prishtinë ndërpret bashkëpunimin me kryetaren Kusari-Lila
Dega e Alternativës në Prishtinë ka njoftuar se ka ndërprerë zyrtarisht çdo bashkëpunim me partinë Alternativa.
Përmes një njoftimi për medie, kjo degë ka treguar se këtë veprim e ka ndërmarr për shkak të veprimeve autoritare të kryetares së kësaj partie, Mimoza Kusari -Lila. “Alternativa, e cila, ndonëse do të duhej të ishte sinonim i promovimit të frymës së liberal-demokracisë, falë veprimeve pas shpine, e shpeshherë edhe autoritare të kryetares Kusari-Lila dhe një grupi të ngushtë përreth saj, ndikoi në përçarjen e pariparueshme të partisë”, është thënë në njoftimin e degës së Alternativës në Prishtinë.
Me tutje, kjo degë ka vlerësuar se duke i mbetur besnike parimeve të liberal-demokracisë dhe shtyrjes përpara të interesave publike, ka bërë gjithçka në fuqinë e saj për të ruajtur idenë mbi të cilën edhe ishte themeluar si projekt politik.
“Ne, si Alternativë e Prishtinës, nuk kemi qenë dhe as nuk do të jemi asnjëherë pjesë e lojërave të tilla. Së këndejmi, për hir të së vërtetës, dhe përgjegjësisë që kemi ndaj atyre që na besuan dhe na besojnë ende, njoftojmë opinionin e gjerë publik se, nga sot e tutje e ndërpresim edhe zyrtarisht çfarëdo formë të të bashkëpunimit dhe komunikimit me Alternativën, si parti”, është thënë në fund të njoftimit.
/Epoka e re/