Palmeri i bindur se mund të arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi

10 shtator 2019 | 10:47

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, ka thënë  se është i bindur se mund të arrihet një marrëveshje midis Prishtinës dhe Beogradit.

Ai në një intervistë për Radio Televizionin e Malit të Zi (RTCG), ka deklaruar se vendi i tij do ta përkrah Qeverinë e Prishtinës që është e përkushtuar në dialog, dhe se Rusia dëshiron një rajon të bazuar në trazira dhe mosbesim.

“Një nga qëllimet tona kryesore është të mbështesim formimin e një qeverie në Kosovë e cila është e angazhuar për dialog, që do të thotë pezullimin e taksës dhe kthimin në tryezën e bisedimeve”, ka thënë ai.

Sipas zyrtarit amerikan bisedimet mes dyja vendeve duhet të jenë më serioze dhe të çojnë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit.

“Do të ishte ideale të bazohej në njohjen e ndërsjellë. Në kohën kur të dyja palët të kthehen në tryezën e bisedimeve, ne do të jemi atje si partnerë në kërkim të një marrëveshjeje që do të jetë e pranueshme për të gjithë, e qëndrueshme dhe e drejtë dhe që do të ndihmojë Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së ”, ka thënë Palmeri.

Palmeri ka thënë se është e rëndësishme për të gjithë rajonin që të zgjidhet çështja Kosovë-Serbi, por gjithashtu ka theksuar se nuk beson se mosmarrëveshjet midis Kosovës dhe Serbisë mund të ndikojnë në rrugën evropiane të vendeve të tjera.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Koreja e Veriut është e gatshme të rinisë bisedimet për…