Drita dhe Feronikeli luajnë për pozitën e parë

14 shtator 2019 | 10:53

Fidan Gërbeshi dhe Kastriot Rexha kanë folur për “Epokën e re” para ndeshjes derbi në mes të Dritës dhe Feronikelit. Të dy këta futbollistë janë shprehur se do të jetë një ndeshje e vështirë dhe se synohet rezultati pozitiv. Ndeshja zhvillohet në qytetin e Gjilanit nga ora 16:00 dhe skuadra fituese e merr pozitën e parë në Superligë.

Derbi i dytë i javës së katërt në IPKO Superligën e Kosovës në futboll zhvillohet sot (e shtunë) në Gjilan.

Ish-kampionia e elitës, Drita, e pret kampionin në fuqi, Feronikelin. Kjo përballje shihet edhe si “luftë” për pozitën e parë, pasi aktualisht në këtë pozitë është skuadra e Ballkanit me tetë
pikë të grumbulluara. Mbrojtësi Fidan Gërbeshi është optimist se me përkrahjen e madhe nga “Intelektualët”, Drita mund t’ia arrijë qëllimit në këtë ndeshje.

“Atmosfera është shumë e mirë dhe e mira është që në ndeshjen ndaj Feronikelit jemi komplet. Synimet tona janë që të zhvillojmë një lojë të bukur dhe të vijmë te një rezultat pozitiv. I ftoj ‘Intelektualët’ që të vijnë një numër sa më të madh të na përkrahin sepse ata janë lojtari ynë i dymbëdhjetë”, ka thënë Gërbeshi.

Skuadra e Dritës aktualisht është e dyta në tabelë me gjashtë pikë, kurse “Nikli” zë vendin e tretë me pikë të barabarta. Për këtë ndeshje derbi ka folur edhe sulmuesi kryesor i Feronikelit dhe
golashënuesi më i mirë i kampionatit të kaluar, Kastriot Rexha.

Ky i fundit është optimist se skuadra nga Drenasi do të nxjerrë një rezultat pozitiv nga përballja me Dritën. “Për ne është një ndeshje me rëndësi të madhe dhe do të jetë shumë interesante edhe për shikuesit, pasi përballen dy skuadra pretendente për titull. Ne jemi përgatitur
maksimalisht për këtë ndeshje dhe në Gjilan synojmë të nxjerrim një rezultat pozitiv”, ka thënë Rexha, i cili në të kaluarën ka luajtur me plot sukses për skuadrën e Dritës.

Të shtunën nga ora 16:00 zhvillohet edhe ndeshja tjetër ku në Skenderaj përballen Drenica dhe Gjilani, kurse dy ndeshjet e fundit për këtë xhiro zhvillohen të dielën e ku përballen Flamurtari-Dukagjini dhe Ferizaj-Vushtrria. /Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Para ndeshjes kundër Leicester Cityt, sulmuesi i Manchester Unitedit, Marcus…