Daka pret në takim kryesuesen e BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve të 6 tetorit

19 shtator 2019 | 17:53

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka pritur në takim kryesuesen e Vëzhguesve të Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të Bashkimit Evropian, Viola von Cramon – Taubadel.

Anëtarja e Parlamentit Evropian ishte e shoqëruar edhe nga përfaqësuesja e Posaçme e BE-së në Kosovë, ambasadorja Nataliya Apostolova.

Daka i uroi mirëseardhje në Kosovë vëzhguesve nga Bashkimi Evropian dhe i informoi lidhur me ecurinë e përgatitjeve që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që është duke i zhvilluar për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që do të mbahen më 6 tetor 2019.

“Për KQZ-në vëzhgimi i zgjedhjeve është i domosdoshëm dhe i rëndësisë së veçantë, pasi në këtë mënyrë rritet besueshmëria në procesin zgjedhor dhe gjetjet e vëzhguesve i ndihmojnë KQZ-së në adresimin e çështjeve të caktuara”, ka thënë Daka.

Ndërkaq, shefja e Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Viola von Cramon – Taubadel tha se ky mision do të vëzhgojë procesin zgjedhor në Kosovë, para, gjatë dhe gjithashtu pas zgjedhjeve.

Më 3 shtator 2019 është nënshkruar Marrëveshja Administrative mes Zyrës së BE-së në Kosovë, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit 2019.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dita-ditës vendi më i varfër në rajon po mbushet me…