Dardan Gashi krahason Fatmir Limajn me Ibrahim Rugovën

25 shtator 2019 | 00:16

Dardan Gashi, ish-zëvendëskryeministër, që ka kaluar së fundmi në partinë e Fatmir Limajt, Nismën Socialdemokrate, ka thënë se lideri i partisë së tij është stigmatizuar nga sistemi i drejtësisë së Kosovës por edhe ai ndërkombëtar.

Mirëpo, sipas tij, ai i ka tejkaluar të gjitha këto burrërisht dhe ka arritur të konsilodojë partinë e tij.

“Limaj është sfiduar shumë nga bashkëpartiakët, nga sistemi juridik… Mua më ka bërë përshtypje te Limaj ajo që ka dalë nga PDK-ja, ka formuar një parti dhe e ka kaluar pragun, ka krijuar një substancë me disa vlera që ky i ka si individ, si familje, si luftëtar e intelektual, dhe mbërrin që në tri gara të kalojë pragun… Unë mendoj se Limaj ka çfarë t’i ofrojë Kosovës, jo vetëm kësaj radhe, por edhe në të ardhmen. Të kaluarën e ka me sfida që i ka kaluar burrërisht dhe i ka fituar. Tek ne aktakuzat e kanë humbur kuptimin. Nga 10 të akuzuar, 9 na dalin të pafajshëm. Liria me të cilën ngrihen aktakuzat është shqetësuese. Një prokuror që s’mundet të nxjerrë fajtorë së paku 70 % e të aktakuzave, duhet të japë përgjegjësi. Limaj është një prej njerëzve që është stigmatizuar edhe nga Gjykata e Hagës, por i cili ka arritur që të mbledh rreth vetes edhe parti tjera”, tha Dardan Gashi në Interaktiv të KTV-së.

“Ne e dimë që s’do t’i bëjmë 30%, por të jemi ata që të bindim elektoratin se vota e tyre nuk humbet. Ne s’do të krijojmë situata sikurse partitë tjera opozitare më parë”, tha Gashi.

Ai ka krahasuar Limajn me presidentin historik të Kosovës, Ibrahim Rugovën.

“Rugova ka kërkuar që të votohen edhe partitë tjera, duke mos dashur t’i acarojë të tjerët. Për Kosovën, Rugova ka bërë atë që ne po tentojmë të bëjmë sot”, u shpreh Gashi.

Gashi: Familja Rugova s’deshi të garojë në zgjedhje, ka nevojë të pushojë

Dardan Gashi i Nismës Socialdemokrate, i njohur për afërsinë me familjen e ish-presidentit Ibrahim Rugova, ka komentuar mospërfshirjen e kësaj familje në listën e LDK-së në garën për deputetë për zgjedhjet e 6 tetorit.

Në dy mandatet e fundit, Teuta Rugova, e bija e ish-presidentit Rugova, ishte deputete e LDK-së. Edhe pse jo aktive dhe shpeshherë e akuzuar se nuk respektonte qëndrimet e LDK-së, sipas Gashit, ajo s’ka marrë pjesë në zgjedhjet e sivjetme sepse ka pasur nevojë për pushim.

“Është çështje individuale, por diçka mund ta siguroj elektoratin e LDK-së. S’ka qenë që LDK-ja s’i ka pranuar, por familja Rugova ka vendosur të mos futet. Arsyet janë të ndryshme. Arsye janë edhe që duan të pushojnë, e të jenë gati për garat e ardhshme të jenë në dispozicion. S’është aspekti verbal që determinon kush është aktiv a jo”, ka thënë ai duke thënë se ajo nuk kishte votuar për krijimin e Qeverisë Haradinaj.

Për largimin e tij nga LDK-ja, Gashi ka thënë se kjo ka ndodhur sepse nuk është pajtuar me disa gjëra aty. Sipas tij, “Proceset politike s’varen nga një logo, por nga kush është aty. Vetëm logo e LDK-së s’nënkupton që LDK-ja është ajo që ka qenë kur jemi sakrifikuar ne për të”.

Për Listën “Ibrahim Rugova” me të cilën Gashi kishte garuar në të kaluarën ka thënë se kjo ishte një fraksion brenda LDK-së, në formë proteste.

“Ka qenë fraksion kur ka pas turbulenca të mëdha në LDK. Ka qenë formë e protestës. Asnjë nga ne s’jemi larguar si parti nga LDK-ja. Kemi formuar grup të protestës. E dini që Teuta Rugova ishte dy herë aty deputete e njerëz tanë ishin pjesë e LDK-së”, ka thënë ai.

Për kalimin te Nisma, Gashi ka thënë se s’është befasi për shkak se “kam bashkëpunuar shumë moti me kryetarin Fatmir Limaj”. Këtë e ka quajtur kalim të natyrshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar sot në Nju…