Çerkini: Gabimet si vendës i kushtuan Ferizajt

27 shtator 2019 | 18:33

Skuadra e Ferizajt pati një seri fantastike në fund të kampionatit të kaluar me çka kulmoi edhe mbetja në IPKO Superligë pa pasur nevojë të luajë në ndeshjet e barazhit.

Në afatin kalimtar të verës u bënë disa ndryshime në klub, përfshirë trajnerin, futbollistët dhe investitorët. Mirëpo kjo nuk e ka ndihmuar këtë klub ta nisë në mënyrën më të mirë kampionatin 2019/2020, pasi nga gjashtë ndeshjet e zhvilluara ka regjistruar dy fitore dhe katër humbje. Futbollisti i kësaj skuadre, Dardan Çerkini, ka thënë për “Epokën e re” se nuk është i kënaqur me rezultatet e regjistruara, por beson se kjo situatë do të ndryshojë. “Në gjashtë xhirot e para kemi bërë disa gabime, sidomos kur kemi luajtur si vendës. Nuk guxojmë të lëshojmë pikë kaq lehtë kur jemi para shikuesve tanë, por duhet që edhe si mysafirë të angazhohemi që të marrim më të mirën e mundshme. Normalisht se nuk jemi të kënaqur me rezultatet e arritura, por besoj se kjo do të ndryshojë në ndeshjet e ardhshme”, ka thënë Çerkini.

Skuadra e Ferizajt në kampionatin e kaluar kishte arritur që të befasojë Feronikelin në Drenas, kurse ndeshjen e javës së shtatë e ka pikërisht ndaj kësaj skuadre në stadiumin “Rexhep Rexhepi”. I pyetur se a është Ferizaj në gjendje sërish ta përsërisë befasinë e xhiros së kaluar, Çerkini është përgjigjur: “Sa i përket ndeshjes së ardhshme ndaj Feronikelit mund të them se është e vështirë, sepse kundërshtari është kampion në fuqi dhe fitues i Kupës. Ne do të shkojmë në Drenas që ta japim maksimumin dhe të shohim çfarë rezultati mund të nxjerrim. E mira është se nuk kemi asnjë mungesë për këtë ndeshje kaq të rëndësishme”.

Skuadra e Ferizajt e ka mposhtur Dritën në xhiron e parë (0-1) dhe në xhiron e pestë Dukagjinin (0-1), kurse ka pësuar humbje nga Gjilani (0-3), Flamurtari (1-0), Vushtrria (0-1) dhe Drenica (0-1). Fakt interesant është se kjo skuadër në dy ndeshje ka fituar me vetëm një gol të shënuar dhe ka humbur në tri ndeshje po ashtu me vetëm një gol të pranuar.

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prof. Dr. Xhahid BUSHATI Rexhep Hoxha, shkrimtari nga Kosova, ndërroi…