Të moshuarit në Kosovë ankohen për pensione të ulëta

01 tetor 2019 | 12:03

Rreth 6.7 për qind e popullatës në Kosovë janë persona të moshuar dhe të njëjtit përballen me kushte jo të mira jetese e qasje të kufizuar në shërbimet shëndetësore.

Kështu është thënë sot në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Moshuar me moton “Rrugëtimi drejt barazisë moshore”.

Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik në Kosovë, ka thënë se në mënyrë tradicionale po shënohet kjo ditë, me qëllim të mbështetjes dhe përmirësimit të gjendjes së popullatës së moshuar ne Kosovë.

“Objektivat e kësaj dite janë që të ndihmojmë, të ngrisim vetëdijesimin dhe parandalimin e pabarazisë, të shqyrtohen mundësitë për mësimin gjatë gjithë jetës dhe të reflektohet në praktikat më të mira për t’i dhënë fund stereotipave. Trendi i moshimit është në ngritje në Kosovë. Janë 6.7 për qind të moshimit në Kosovë. Ndryshime të tilla tregojnë se gjatë viteve do të ketë numër të madh të moshuarve”, ka thënë Ramadani.

Ndërsa Faik Hoti nga Ministria e Shëndetësisë, ka thënë se moshimi nuk nënkupton sëmundjen apo paaftësinë.

“Të moshuarit në Kosovë përballen me kushte jo të mira jetese, me pensione të ulëta. Përderisa edhe qasje në shërbime shëndetësore është e kufizuar”, ka thënë Hoti.

Në anën tjetër, shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) në Kosovë, Sergy Koryak, ka thënë se numri i të moshuarve në botë është në rritje.

“Janë mbi 700 milionë persona në mbi 60 vjet, e në 10 vitet e ardhshme pritet të jetë mbi 1 miliardë e gjysmë. OBSh-ja çështjen e të moshuarve e sheh si e drejtë humane dhe themelore për të moshuarit”, ka thënë ai.

Kurse Hasan Berisha nga Lidhja e Pensionistëve, ka thënë se të moshuarit në Kosovë kanë pensione të ulëta, pavarësisht kontributit paraprak. /Ksp/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dileta Leota bëri një dalje tjetër të mrekullueshme në stadiumin…