Ushtarët e FSK-së të gatshëm për garën ndërkombëtare “Cambrian Patrol 19”

07 tetor 2019 | 13:29

Një kontingjent i Forcës së Sigurisë të Kosovës ka udhëtuar dje për në Britani të Madhe, për të marrë pjesë në garën ushtarake ndërkombëtare “Cambrian Patrol 19”, e cila do të mbahet nga 6 deri më 21 tetor 2019.

Forca e Sigurisë e Kosovës, me qëllim të zbatimit të misionit të saj dhe me synim që të arrijë rezultate në përputhje me standardet e kërkuara bashkëkohore, në këtë ushtrim do të marrë pjesë në kuadër të bashkëpunimit dypalësh me Britaninë e Madhe.

Gara “Cambrian Patrol 19” është aktiviteti më prestigjioz ushtarak, që realizohet nga Brigada 160 e këmbësorisë, dhe është ushtrim kryesor patrullues për ushtrinë e Britanisë, i cili është i hapur për të gjitha shërbimet ushtarake të Britanisë dhe shërbimet e tjera ushtarake ndërkombëtare.

Këtë vit, kontingjenti i FSK-së, që nga muaji shkurt ka bërë përgatitje intensive si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri në disiplina të ndryshme; duke filluar nga Faza përgatitore për këtë ushtrim, e cila ka zgjatur rreth 8 muaj të plotë, ku janë përfshirë tre muaj parapërgatitje dhe pesë muaj trajnim intensiv.

Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë të Kosovës po marrin pjesë në këtë garë për herë të tretë dhe se FSK-ja për herë të parë ka marrë pjesë në këtë garë në vitin 2016, dhe në mesin e shumë shteteve pjesëmarrëse kontingjenti i saj pati marrë “medaljen e artë”, ndërsa në garën e vitit 2018 kontingjenti i FSK-së ishte shpërblyer me “medaljen e bronztë”.

Ushtrimi “Cambrian Patrol” ka filluar që nga viti 1959, dhe në mbarë botën njihet si një nga patrullat më të vështira, ku një numër i vogël skuadrash arrijnë të dekorohen me medalje, ndërsa shkalla e dështimit është mjaft e lartë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti i njohur shqiptar është bërë baba për herë të…