Hong Kongu tërheq zyrtarisht projektligjin që shkaktoi protesta

23 tetor 2019 | 15:43

Legjislatura e Hong Kongut e ka tërhequr zyrtarisht projektligjin që ka shkaktuar protesta tash e disa muaj.

Masa, që do të lejonte që kriminelët e dyshuar të ekstradohen në Kinë, ka nxitur zemërim, prejse është paraqitur për herë të parë në prill.

Qindra-mijëra njerëz kanë dalë në rrugë dhe projektligji më pas është pezulluar.

Por, protestat kanë vazhduar dhe janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë pro demokracisë dhe kundër ndikimit në rritje të Kinës.

Kjo është cilësuar si kriza më e rëndë për Hong Kongun qëkur ish-kolonia britanike i është kthyer Kinës në vitin 1997.

Tërheqja zyrtare e projektligjit është vetëm njëra nga pesë kërkesat e protestuesve.

Të tjerat kërkesa të protestuesve përfshijnë: moskarakterizimin e protestave si trazira, lirimin e protestuesve të arrestuar, hetime të pavarura të brutalitetit të dyshuar të policisë dhe zbatimin e plotë të së drejtës për të votuar.

Udhëheqësja e Hong Kongut, Carrie Lam, ka thënë se kërkesat e tjera nga protestuesit janë jashtë kontrollit të saj.

Gazeta “Financial Times” ka raportuar se Qeveria e Kinës po harton plane për të larguar nga detyra Lamin.

Nëse presidenti kinez, Xi Jinping, e miraton planin, ajo do të zëvendësohej nga një udhëheqës i përkohshëm.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
DARKO CVIJETIÇ Aidën e klasës sime, herën e parë pas…