Zëvendësit të Gjuriqit i ndalohet hyrja në Kosovë
23 tetor 2019
| 15:50
Zëvendësdrejtorit të të ashtuquajturës Zyre serbe për Kosovën, Dushan Kozharev, nuk i është lejuar që të hyjë në Kosovë përmes Jarinjes “me shpjegimin se vizita nuk ishte paralajmëruar”.
Kështu ka njoftuar zyra që drejtohet nga Marko Gjuriq, sipas së cilës asnjë marrëveshje nuk kërkon që vizita e ndihmësdrejtorit të Zyrës për Kosovë të njoftohej.
Ndërsa këshilltari i ministrit në detyrë Behgjet Pacolli, Jetlir Zyberaj, ka thënë se Kozharev bën pjesë te personat që nuk mund të futen në Kosovë pa leje. “Ata zgjodhën që të mos e respektojnë marrëveshjen, prandaj edhe është ndaluar në Jarinjë”, ka thënë Zyberaj.