Feronikeli ‘kërcënon’ Drenicën me humbje

26 tetor 2019 | 08:02

Astrit Fazliu dhe Përparim Islami e kanë ‘kërcënuar’ Drenicën me humbje si në ndeshjen e parë të kampionatit. Ndërsa Qemail Elshani ka shprehur optimizëm se skuadra e tij nuk do të mposhtet nga Feronikeli. Ai ka thënë se edhe humbja në përballjen e parë të këtij kampionati ka qenë e pamerituar. Kjo përballje e skuadrave nga regjioni i Drenicës zhvillohet sot në stadiumin “Bajram Aliu” me fillim nga ora 14:00.

Kampioni në fuqi i Kosovës në futboll, Feronikeli, e nisi në mënyrën më të mirë edicionin aktual, pasi në ndeshjen e parë e mposhti Drenicën 4-1. Kjo skuadër synon ta fitojë edhe ndeshjen e dytë ndaj rivalëve nga regjioni i Drenicës.

Sulmuesi Astrit Fazliu ka thënë për “Epokën e re” se synim i “Niklit” janë tri pikët në ndeshjen që zhvillohet sot (e shtunë) në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.

“Është një ndeshje e vështirë. E dimë se Drenica luan lojë të mirë në fushën e vet. Ne do të udhëtojmë me qëllim që t’i marrim tri pikët që na mbajnë në hap për titull. Do të shkojmë pa Dabiqajn dhe Bojkun”, ka thënë Fazliu.

Për ndeshjen ndaj kuqezinjve për gazetë ka folur edhe mbrojtësi Përparim Islami. Ky ka thënë se skuadra nga Drenasi nuk ka hapësirë për gabime të reja dhe ndaj Drenicës kërkon vetëm fitore.

“Ndeshjen ndaj Drenicës në xhiron e parë e kemi fituar 4-1 në Drenas, por Drenica ka ekip mjaft të mirë, sidomos në fushën e vet luan futboll të bukur. Megjithatë, do të udhëtojmë për tri pikë sepse nuk kemi shumë kredi që të gabojmë për faktin se Gjilani është lider dhe ka pesë pikë më shumë. Në këtë ndeshje jemi të kënaqur vetëm me fitore”, ka deklaruar Islami.

Pavarësisht prej humbjes në ndeshjen e parë me rezultat 4-1, Qemail Elshani është i bindur se skuadra e Drenicës nuk e ka merituar atë humbje sepse paraqitja e saj në Drenas ka qenë shumë e mirë. Lidhur me ndeshjen e radhës, Elshani ka thënë se synimi i kuqezinjve është që në çdo ndeshje të marrin sa më shumë pikë. “Në ndeshjen e parë kemi pësuar humbje, mirëpo rezultati i asaj ndeshje nuk ishte real krahasuar me lojën që kemi zhvilluar. Të gjithë e dinë se jemi duartrokitur disa herë për aksionet e bukura që kishim ndërtuar, por që na kishte munguar efikasiteti para portës.  Ndërsa tash jemi të kompletuar dhe të motivuar, pasi vijmë nga një fitore e lartë, si dhe atmosfera brenda skuadrës është shumë e mirë. Kemi një skuadër të fortë përballë, për çka jemi të vetëdijshëm. Presim maksimumin nga të gjithë dhe të mbledhim sa më shumë pikë në ndeshjet e mbetura deri në fund, pasi kemi fond të mjaftueshëm të lojtarëve”, ka thënë Elshani.

Drenica pozicionohet në vendin e shtatë me 14 pikë, kurse Feronikeli është një pozitë më lart dhe ka grumbulluar 19 pikë. Krahas ndeshjes Drenica – Feronikeli, sot (e shtunë) nga ora 14:00 zhvillohet edhe ndeshja tjetër në mes të Vushtrrisë dhe Llapit. Dy ndeshje zhvillohen të dielën dhe dy ndeshje të tjera të hënën.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-shefi i grupit parlamentar të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka…