Sulmohet fizikisht prokurori Atnor Skoro, reagon Zyra e Prokurorit të Shtetit

30 tetor 2019 | 15:57

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar opinionin publik se gjatë ditës së sotme është sulmuar fizikisht prokurori i Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore në Prizren, Atnor Skoro.

“Prokurori Atnor Skoro ka përfaqësuar sot në gjykatë një aktakuzë në cilën ka qenë i përfshirë i pandehuri B.R, dhe rreth orës 13:00, duke u kthyer në vendin e tij të punës, afër objektit të Prokurorisë Themelore në Prizren, i dyshuari B.R i ka dalë përpara prokurorit Skoro dhe e ka sulmuar atë fizikisht, duke e goditur në kokë, ku pas kryerjes së këtij akti, i dyshuari me shpejtësi është larguar nga vendi i ngjarjes, dhe i njëjti për momentin është në arrati”, ka njoftuar Zyra e Prokurorit të Shtetit.

Sipas kësaj zyre, aktualisht prokurori Atnor Skoro është duke marrë tretman mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit për lëndimet e shkaktuara nga sulmuesi.

“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit reagon fuqishëm ndaj këtij akti të kundërligjshëm dhe qëndron pranë prokurorit Skoro dhe çdo prokurori tjetër duke i mbështetur ata në ushtrimin e detyrave të përditshme në përmbushjen e misionit të tyre kushtetues dhe ligjor. Andaj, të gjithë ata që mendojnë se me akte të tilla do të tentojnë të ndikojnë që prokurorët e shtetit të zmbrapsen nga ndjekja e kryeseve të veprave penale e kanë gabim, sepse prokurorët do të vazhdojnë punën e tyre për të cilën janë betuar dhe për të cilën i obligon Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës. Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit siguron publikun se kjo çështje është duke u trajtuar seriozisht dhe me nivelin e duhur të urgjencës të cilën e meriton kjo situatë”, është thënë në njoftimin e Zyrës së Prokurorit të Shtetit.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur, ka ngritur…