Hoti: Së shpejti përmbyllen diskutimet e grupeve punuese të LDK-së dhe LV-në
Udhëheqësi i Grupit punues nga radhët e LDK-së për negociata me LV-në, Avdullah Hoti, ka paralajmëruar se shumë shpejt do të përmbyllen diskutimet e grupeve punuese në mes këtyre dy partive për koalicionin qeverisës.
Hoti, i cili është edhe anëtar i Kryesisë së LDK-së, ka thënë për “Kosovapress” se ka përafrime të madhe mes dy partive, të cilës mbetet që liderët Isa Mustafa dhe Albin Kurti t’ua japin vulën përfundimtare të marrëveshjes.
“Sot kemi takimet rend dhe ligj, madje vazhdojmë takimet tjera për arsim dhe shëndetësi. Besoj se shpejt mund ta përmbyllim komplet diskutimin sa i përket grupeve punues. Pra, të përafrimeve të programeve të subjekteve, prandaj, mbetet që liderët e dy subjekteve të ulën së bashku dhe të japin vulën përfundimtare të marrëveshjes”, ka thënë Hoti.
Hoti nuk ka përjashtuar mundësinë që në nëntor të formohet qeveria e re dhe të konstituohet Kuvendi, por “hatri” i këtij të fundit po i mbetet te KQZ-ja që po e zvarrit tash e gati një muaj procesin e numërimit të votave.
“Është e pakuptimtë kur qytetarët e vendit që pas një procesi zgjedhor më 6 tetor që u vlerësua që është i rregullt dhe në përputhje me standardet demokratike, institucionet përgjegjëse tash për të proceduar atë rezultat zgjedhor dhe për të shpallur atë rezultat zgjedhor gati një muaj bëhet dhe nuk janë në gjendje të nxjerrin rezultatin, të nxjerrin vullnetin e qytetarëve, që ta certifikojnë vullnetin e qytetarëve”, ka thënë Hoti.