Dunja Mijatoviq: Kampet e refugjatëve në Greqi ‘në prag të katastrofës’

01 nëntor 2019 | 14:19

Mijëra njerëz që jetojnë në kampe “të tmerrshme” refugjatësh në dy ishuj grekë “janë në prag të katastrofës”, ka paralajmëruar komisionarja e Këshillit Evropian për të Drejta të Njeriut, Dunja Mijatoviq.

Ajo ka thënë se situata në ishujt e Egjeut, ku ndodhen rreth 36 000 azilkërkues është “shpërthyese”.

“Masa urgjente janë të nevojshme për të adresuar kushtet dëshpëruese, në të cilat jetojnë mijëra qenie njerëzore”, ka thënë Mijatoviqi, pasi ka vizituar ishujt Lesbos dhe Samos.

Ajo ka deklaruar se kampet atje janë “të mbingarkuara” dhe se njerëzit “duhet të radhiten me orë të tëra për të marrë ushqim dhe për të shkuar në banjë”, raporton “Rel”.

Disa orë pas këtyre komenteve, Parlamenti i Greqisë, ka miratuar një ligj për të përshpejtuar dëbimet.

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, ka thënë se refugjatët do të mbrohen, porse dyert e Greqisë nuk do të jenë të hapura për të gjithë.

Opozita e krahut të majtë e ka kritikuar ligjin, ndërsa disa grupe humanitare, përfshirë Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, kanë paralajmëruar se ligji mund të kufizojë mbrojtjen për azilkërkuesit.

Greqia, së bashku me Italinë, janë ndër destinacionet kryesore për mijëra njerëz që ikin nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore dhe synojnë të arrijnë Evropën përmes detit.

Mitsotakis, i cili e ka marrë detyrën në korrik, ka një qëndrim më të ashpër kundër emigrantëve dhe azilkërkuesve, sesa paraardhësi i tij i krahut të majtë, Alexis Tsipras.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Speciale e Kosovës pritet që brenda këtij muaji t’i…