Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit shënoi 40 vjetorin e themelimit

01 nëntor 2019 | 16:24

Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit sot ka shënuar 40 vjetorin e themelimit ku ka organizuar konferencën e dytë shkencore.

Shumë profesorë të huaj, si dhe nga Kosova ishin prezent në këtë organizim, ku padyshim që nuk mungoi as kampionia olimpike e xhudos, Majlinda Kelmendi dhe trajneri i saj Driton Kuka. Dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, Musa Selimi, ka thënë se sot u mbushën gjithsej 40 vite udhëtim që nga themelimi i këtij fakulteti. Dita e sotme, sipas tij, për të gjithë studentët, pedagogët si dhe për Universitetin e Prishtinës është një ditë krenarie.

“Sot 40 vjet rrugëtim që nga viti 1979, Fakulteti i Edukimit Fizik dhe i Sportit po kujton dhe numëron kohën e bashkë me të edhe sukseset. Dita e sotme 1 nëntor 2019 për studentët, pedagogët, prorektorët e fakultetit por edhe për të gjithë Universitetin e Prishtinës është një krenari e shumëfishtë. Është një kremte e shumëfishtë. Sot këtu me mysafirë shumë të veçantë me mjeshtër të pendës, studiues, hulumtues publicistë, sportistë, veteranë, media të shkruara dhe elektronike po shënojmë një ngjarje të veçantë, 40 vjet dije në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit. Është një moment që koicidon me vlugun e aktiviteteve tona. Që të shohim se vërtetë se nga kemi filluar, ku kemi arritur dhe cili është rrugëtimi dhe vizioni për ardhmërinë e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe të Sportit”, ka thënë Selimi.

I pranishëm ishte edhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani i cili në emër të Lëvizjes Olimpike të Kosovës uroi 40 vjetorin e themelimit duke uruar që bashkëpunimi mes këtij fakulteti dhe KOK-ut të vazhdojë edhe më tutje.“Dëshiroj që në emër të Lëvizjes Olimpike t’ju përgëzoj për këtë përvjetor. T’ju falënderoj për bashkëpunimin e mirë që kemi midis Komitetit Olimpik dhe fakultetit tuaj që është një parakusht për krijimin e një ambienti më të mirë që sportistët, trajnerët dhe zyrtarët tjerë ta shpërfaqin dijen e tyre në sportin në përgjithësi”, ka deklaruar Hasani.

Barbara Wesner, profesoreshë nga Universiteti i Vjenës, ka thënë se në këtë 40 vjetor ky fakultet duhet të jetë shumë krenar për të arriturat e studentëve sepse po e ngrehnin lartë flamurin e Kosovës në garat ndërkombëtare.

“Vërtetë jam shumë e lumtur që jam pjesë e këtij përparimi, këtij progresi dhe ndryshimeve të cilat veç që kanë ndodhur brenda 10 viteve të fundit. Jam pjesë e këtij rrugëtimi. Me të vërtetë është e jashtëzakonshme të shihet se përbrenda këtyre projekteve të përbashkëta kemi hapur mendjet tona jo vetëm që të shohim ndikimin e sporteve në sektorin, por gjithashtu të hapim mendje për sektorin e shëndetësisë, që është shumë e rëndësishme. Po e shijoj me të vërtetë faktin që studentët e Universitetit të Prishtinës po dalin jashtë shtetit dhe ju duhet të jeni shumë krenarë me studentët e juaj”, u shpreh Wesner.

Kampionia olimpike e xhudos, Majlinda Kelmendi i uroi 40 vjetorin e themelimit të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit në emër të të gjithë sportistëve. Ajo dha një mesazh për gjininë femërorë duke iu udhëzuar që të merren sa më shumë me sport.“Në emër të gjithë sportisteve të Kosovës, urime 40 vjetorin e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit. Ju përgëzoj dhe ju falënderoj për mundin dhe për sakrificën që e bëni çdo ditë me qëllim të edukimit dhe të vetëdijesimit të të rinjve të Kosovës. Një eksperiencë që e kam pasur këtu në një universitet privat në Kosovë e kam vërejtur që numri i gjinisë femërorë në krahasim me gjininë mashkullore në fakultetin e kulturës fizike është mjaft i vogël. Nuk do të thotë që duhet me qenë sportist që me qenë pjesë e këtij fakulteti, kështu që mesazhi im për femrat është që nëse kjo është ajo që ju pëlqen të mos hezitojnë aspak”, tha Kelmendi.

Ndërsa trajneri i saj, Driton Kuka, tha se shpreson që ky fakultet të vazhdojë me punën e deritanishme pasi sipas tij sukseset nuk do të mungojnë.

“Për fat të mirë kemi ndërtuar sportistë kulminant dhe gërshetimi mes shkencës sportive dhe sportit kulminant shpresoj që në të ardhmen do të intensifikohet edhe më shumë sepse është rruga e vetme që të mos mbesin me rezultate kulminante ndoshta në një sport dy ose tri po kjo të bëhet një standard. Prandaj e uroj 40 vjetorin e punës së Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, me shpresë që bashkëpunimi mes sportit elitar dhe shkencës të intensifikohet edhe më shumë”, ka thënë Kuka.

Gjatë kësaj ceremonie u shpërndan edhe mirënjohje për personalitete të shquara të këtij fakulteti si dhe të sportit në përgjithësi në Kosovë. /KSP/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prishtina nesër është mysafire e skuadrës së Dukagjinit. Mbrojtësi i…