Kryeministrit pakistanez i kërkohet dorëheqja e menjëhershme

01 nëntor 2019 | 17:07

Partitë opozitare në Pakistan i dhanë kryeministrit të këtij vendi, Imran Khan, dy ditë kohë për të dhënë dorëheqje, duke e fajësuar atë për ekonominë e dobët.

Partia më e madhe islamike, Jamiat Ulama-e-Islam, ka udhëhequr të premten një protestë masive në Islamabad, së bashku me disa grupe të tjera.

Sipas disa vlerësimeve, mbi 100 000 aktivistë të opozitës kanë kërkuar dorëheqjen e Khanit, duke e quajtur “kukull” të ushtrisë.

“Mos e testoni durimin tonë… Ne nuk mund t’ju lejojmë ta shkatërroni më vendin. Ju japim dy ditë. Shkoni në shtëpi, përndryshe do t’ju dërgojmë”, ka thënë udhëheqësi i partisë Jamiat Ulama-e-Islam, Maulana Fazlur Rehman.

Rehmani, një klerik me ndikim, ka kërcënuar se do ta çojë protestën në “nivel tjetër” nëse Khan nuk jep dorëheqje brenda dy ditësh.

Kërcënimi i fundit ka ardhur disa orë pasi Khani e ka përjashtuar mundësinë e dorëheqjes, duke i akuzuar kundërshtarët e tij për përdorimin e fesë kundër qeverisë së tij.

“Kundërshtarët e mi po e përdorin fenë kundër meje… Ata nuk kanë ndonjë agjendë”, ka thënë Khani.

Opozita ka theksuar se zgjedhjet kombëtare të vitit të kaluar, që kanë sjellë Khanin në pushtet, janë manipuluar nga ushtria, për të instaluar një qeveri sipas zgjedhjes së gjeneralëve.

Ekonomia e Pakistanit ka rënë ndjeshëm prejse Khani ka marrë detyrën vitin e kaluar. Inflacioni është rritur në nivelin më të lartë në dhjetë vjet, ndërsa mijëra vende pune janë shuar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kosova dhe Lituania kanë nënshkruar protokollin teknik të bashkëpunimit në…