Haradinaj: Dhjetori, potencial për vendimin për liberalizim

20 nëntor 2019 | 00:34

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, ka përsëritur deklaratën se vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën mund të merret në dhjetor.

Sipas tij, njerëzit mund të jenë skeptikë sepse ky proces ka zgjatur shumë, por ai ka përsëritur se dhjetori mund të jetë muaji vendimtar.

“Ka plot skeptikë sepse është vonuar gjatë. Ne kemi përmbushur të gjitha kriteret. Në këtë kohë kemi edhe disa angazhime të brendshme, të jashtme, bilaterale, janë afruar mundësitë për vendim. Dhjetori është potencial për vendim”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.

Duke komentuar deklaratat e zyrtarëve të Bashkimit Evropian në Kosovë që kërkoi nga zyrtarët e Kosovës të mos japin data, Haradinaj ka thënë se “zyrtarët e BE-së japin deklarata gjithë ditën, e sikur të ishin në vende tjera duhet të bënin më shumë kujdes”.

“E shoh se shumë zyrtarë të BE-së, japin deklarata gjithë ditën. Në vendet tjera duhet të bëjnë më shumë kujdes, në raport me një kryeministër, me një lider. Sepse një kryeministër nuk flet data paushall. S’ka kapacitetet për t’i thënë një kryeministri, por mundet një Angela Merkel që vendos po ose jo. Këta po e bëjnë, s’është as në të mirë të BE-së me këso deklarime të njëpasnjëshme. Këta po nxitojnë. Pyeteni ambasadorin gjerman ju tregon çka thotë ai”, ka deklaruar më tej Haradinaj.

Sipas tij, as Franca nuk është kundërshtuese e liberalizimit siç është thënë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Edy Reja do të vijojë të jetë në krye të…