Lansohet instrumenti për vlerësimin pedagogjik të fëmijëve në Kosovë

09 dhjetor 2019 | 17:06

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) me mbështetje të “Save the Children”, ka lansuar të hënën instrumentet për vlerësimin pedagogjik të fëmijëve me nevoja të veçanta në Kosovë.

Këto instrumente janë hartuar nga MAShT-i në bashkëpunim me grupin punues, të përbërë nga anëtarë të ekipeve vlerësuese komunale, të udhëhequr nga profesorë të Universitetit të Bolonjës dhe Universitetit të Padovës.

Të pranishmit i ka përshëndetur këshilltari i ministrit Shiqyri Bytyqi, Fatmir Bytyqi, i cili ndër të tjera ka thënë se arsimimi i fëmijëve me nevoja të veçanta është sfidë e përgjithshme.

Ai ka theksuar se MAShT-i angazhohet në mënyrë të vazhdueshme që të sigurojë qasje në arsim për të gjithë, e veçanërisht që të ofrojë arsimim adekuat për fëmijët me nevoja të veçanta.

Për rëndësinë e arsimimit të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe mbështetjen e “Save the Children”, ka folur drejtori i kësaj organizate, Ahmet Kryeziu, i cili ka thënë se janë duke punuar për të përmirësuar të drejtat e fëmijëve e sidomos arsimin e fëmijëve me nevoja të veçanta

Ndërsa në emër të organizatave me aftësi të kufizuara, Bujar Kadriu, ka thënë se fëmijët me aftësi të kufizuara duhet të jenë të përfshirë në arsim sepse sipas tij pa një integrim të atyre fëmijëve nuk do të kemi edukim të mirë.

Ai u ka bërë thirrje komunave të cilat ende nuk kanë hapur konkurset për të pranuar asistent të fëmijëve me nevoja te veçanta, ta përmbushin këtë obligim.

Në anën tjetër, profesoresha nga Universitetit të Bolonjës, Roberta Kalding, ka thënë se tematika e këtij projekti është klasifikimi i funksionimit i cili ndërlidhet me të gjithë personat, në veçanti me personat me aftësi të kufizuara.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në prag të shënimit të Ditës Ndërkombëtare për të Drejtat…