Shtatë lojtarët e panevojshëm në pritje të ndarjes me Feronikelin

16 dhjetor 2019 | 18:10

Shtatë lojtarët e liruar nga Feronikeli ende kanë marrë fletëlëshimet nga klubi për faktin se janë duke pritur që të kryhen obligimet financiare që ka “Nikli” ndaj tyre. Gazeta ka mësuar se të njëjtit kanë arritur marrëveshje me klubet e tjera, por janë duke pritur që të ndahen fillimisht me skuadrën kampione për t’i zyrtarizuar më pas klubet e reja.

Futbollistët e dëshmuar në futbollin e Kosovës si Kastriot Rexha, Astrit Fazliu, Albutrint Morina, Lulëzim Doshlaku, Haxhi Neziraj, Arbër Prekazi dhe Milosh Krkotiq janë liruar nga kampionia në fuqi e Kosovës, Feronikeli me arsyen se nuk bëjnë pjesë në planet e trajnerit Agim Sopi.

Klubi nga Drenasi në njoftimin e mëhershëm kishte bërë me dije se kontratat nuk janë shkëputur, por futbollistëve në fjalë u është rekomanduar të gjejnë klube të reja sepse “Nikli” planifikon t’u japë rast lojtarëve të rinj. “Kryetrajneri Agim Sopi, së bashku me këshilltarin e presidentit, Albert Bunjaku, kanë bërë biseda individuale me futbollistë të caktuar, të cilët nuk pritet të jenë në planet e kryetrajnerit për pjesën e mbetur të sezonit dhe po të njëjtëve futbollistë i është sugjeruar të kërkojnë klub të ri, gjithnjë duke mos dashur të kenë ngecje në karrierat e tyre”, thuhej në njoftimin e Feronikelit.

Ani pse kanë kaluar disa ditë nga ky vendim i klubit kampion, asnjëri nga këta futbollistë nuk është larguar zyrtarisht nga klubi, sepse ata janë duke pritur që të kryhen disa obligime financiare dhe më pas ta ndërprenë bashkëpunimin me skuadrën që e ndihmuan edicion e kaluar të shpallet kampione dhe fituese e Kupës. Këto ndryshime në klubin nga Drenasi kanë ardhur edhe si pasojë e mbetjes paksa mbrapa në garën për titull, ku pas përfundimit të sezonit vjeshtor “Nikli” është në vendin e pestë me 27 pikë, shtatë pikë më pak se skuadra lidere Ballkani. “Të gjithë futbollistët janë duke pritur që të kryhen disa obligime financiare nga ana e klubit dhe më pas t’i shkëpusin kontratat”, ka thënë një burim i besueshëm i gazetës i afërt me futbollistët e lartpërmendur.

Mbrojtësi Arbër Prekazi është raportuar se ka arritur marrëveshje me skuadrën e Ballkanit nga Suhareka, por ende nuk është prezantuar në këtë klub për shkak se nuk e ka përmbyllur marrëveshjen me skuadrën e Feronikelit. Ndërsa edhe lojtarët e tjerë janë në kontakte me klube të Superligës, por për të njëjtat arsye ende nuk kanë zyrtarizuar marrëveshjet. Nga lojtarët më të kërkuar prej shtatë lojtarëve të lartpërmendur janë Astrit Fazliu dhe Kastriot Rexha. Ky i fundit po kërkohet nga Prishtina, Drita dhe Llapi. “Nikli” mund të dalë sërish në garat evropiane, pasi është kualifikuar në çerekfinale të Kupës ku kundërshtare do ta ketë Lirinë e Prizrenit.

/Veton ZYMBERI/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), Fatmir Matoshi, u…