Takimi i minishengenit ballkanik, Vuçiqi dhe Zaevi mbërrijnë në Tiranë

20 dhjetor 2019 | 17:26

Ditën e sotme dhe të nesërme, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev do të qëndrojnë në Tiranë për të qenë të pranishëm dhe zhvilluar atë që njihet si takimi i “minishengenit ballkanik”.

Pas takimeve të zhvilluara në Novisad dhe Ohër, kësaj here Rama, Vuçiqi dhe Zaevi po takohen në Tiranë.

Ndërkohë sonte në orën 19:00, Rama së bashku me delegacionet pjesëmarrëse do të jenë të pranishëm në Parkun Olimpik.

Ky takim është bojkotuar nga Kosova. Mohimi i masakrës së Reçakut nga shteti i Serbisë ka bërë që në mesin e shumë arsyeve të tjera, partitë politike në Kosovë të kërkojnë nga Shqipëria një qasje tjetër ndaj Serbisë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pasi i ka thënë “jo” ftesës së Ramës, ka deklaruar se derisa Serbia vazhdon të mohojë krimet e kryera ndaj qytetarëve të Kosovës dhe nuk e njeh Kosovën si shtet, iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta.

Në anën tjetër Lëvizja Vetëvendosje në Tiranë do të organizojë një tubim në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kundër këtij takimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ka nisur ceremonia e manifestimit tradicional “Laureatët e Vitit”  e…