Ministri Bytyqi priti në takim përfaqësuesit e shkollës “Hamza Muça” nga Shkallnuri i Durrësit

23 dhjetor 2019 | 16:06

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka pritur të hënën në takim përfaqësuesit e shkollës “Hamza Muça”, nga Shkallnuri i Durrësit dhe të shkollës “Elena Gjika” në Prishtinë, me të cilët ka biseduar rreth projekteve dhe bashkëpunimit në mes të shkollave të Shqipërisë dhe të Kosovës.

Ministri Bytyqi e falënderoi drejtoreshën e shkollës “Hamza Muça”, Fatmire Mulliqi, për bashkëpunim me shkollat në Kosovë dhe theksoi se duhet të ndjekim këtë rrugë të rëndësishme dhe të domosdoshme mes dy vendeve, që i ndihmon shkollat dhe në veçanti nxënësit nga Kosova dhe Shqipëria.

Ministri, po ashtu, shprehu keqardhje për tragjedinë që shkaktoi tërmeti në Durrës, sidomos për nxënësit, të cilët janë prekur nga kjo tragjedi kombëtare.

Ai ka theksuar se edhe në takimin që ka pasur këto ditë me ministren e Arsimit të Shqipërisë, Besa Shahini, ka marrë informacion se shumë nxënës janë detyruar që të lëvizin nga shkollat e Durrësit për shkak të dëmtimeve që kanë ndodhur në objekte.

Ndërsa, drejtoresha Mulliqi ka pohuar se janë sot këtu për binjakëzim të kësaj shkolle me shkollën “Elena Gjika”, ndërsa ka thënë se bashkëpunimi do të vazhdojë dhe se është planifikuar edhe një projekt tjetër që do të jetë pjesë e bashkëpunimit në mes të dy shkollave në të ardhmen.

Ministri Bytyqi dhe drejtoresha Mulliqi uruan që ky shembull të ndiqet nga shumë shkolla të tjera të Kosovës dhe të Shqipërisë.

/Epoka e re /

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në ambientet e stadiumit “Fadil Vokrri” pas dy ditësh është…