Matoshi: Viti 2019, vit i sfidave dhe sukseseve në fushën e mjedisit

24 dhjetor 2019 | 17:53

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka mbajtur të martën konferencën e fundit për këtë vit për media, në të cilën ka paraqitur projektet dhe aktivitetet që janë zhvilluar brenda këtij viti.

Ministri i MMPH-së, Fatmir Matoshi ka përmendur veprimet e ministrisë, hartimin dhe miratimin e akteve ligjore e nënligjore, investimet milionëshe në fushën e mjedisit dhe planifikimit hapësinor, përkrahjen për komunat, bashkëpunimin me donatorët si dhe sfidat për të ardhmen.

Sipas Matoshit prioritet i tij kryesor gjatë mandatit qeverisës ka qenë mbrojtja e burimeve ujore si dhe ndërtimi i hidrosistemeve të reja në Kosovë, në mënyrë që të sigurohet ujë i pijshëm për të gjithë qytetaret e Kosovës. “Për këtë bashkë me Bankën Botërore pas një pune njëvjeçare kemi arritur që të fillojmë se jetësuari projektin më të madh në këtë fushë, ndërtimin e hidrosistemit KIK-Kremenatë, i cili do të evitojë krizat që po kemi ne sigurimin e ujit të pijshëm në pjesën lindore të Kosovës. Projekte të tilla do të realizohen edhe në komuna tjera të Kosovës”, ka thënë Matoshi.

Ai po ashtu ka theksuar se me buxhetin e MMPH-së, janë duke u realizuar shumë projekte në rregullimin e shtretërve të lumenjve në të gjitha komunat e Kosovës, për të eliminuar degradimin e madh, e të cilat arrijnë vlerën rreth 16 milionë euro. “Për momentin në vendin tonë trajtohen vetëm 4 për qind e ujerave të zeza. Në bashkëpunim me donatorët ndërkombëtar kemi filluar projektet për ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza, disa prej të cilave janë në përfundim e sipër e disa të tjera në fazën fillestare të realizimit”, është shprehur Matoshi.

Matoshi ka folur edhe për eliminimin e deponive ilegale të mbeturinave duke thënë se MMPH së bashku me shoqërinë civile ka organizuar fushata pastrimi dhe rehabilitimi të zonave të degraduara me vite në Kosovë përmes krijimit të zonave të reja të gjelberta. “Kemi filluar investimet në zonat e veçanta të mbrojtura në Kosovë, në të cilat me vite nuk ka pasur kushte të përshtatshme minimale për vizitorë, duke përfshirë Ujëvarën e Mirushes, Shpellën e Gadimes etj. Po ashtu, kemi përkrahur komunat e Kosovës në ngritjen e kapaciteteve të tyre në fushën e menaxhimit të mbeturinave, ku bashkë me GIZ-in dhe BE-në kemi lansuar grantin e performancës për komunat me 7 milionë euro”, ka thënë tutje ministri Matoshi.

Ai ka thënë se kanë  marrë  grant 2.2 milion euro nga Qeveria Japoneze në sektorin e menaxhimit të mbeturinave, kanë hartuar strategjinë për menaxhimin e mbeturinave si dhe janë duke i dhënë zgjidhje  qeseve të  plastikes dhe po ashtu janë në krijim e sipër të sistemit të kthimit të shisheve të plastikes,  qelqit, kanaqeve.

Matoshi ka deklaruar se Inspektorati i MMPH-së gjatë këtij viti ka bërë 790 vizita inspektive në teren, ka shqiptuar qindra gjoba mandatore dhe 85 inicime ne gjykatë. “Ndotja e ajrit në kryeqytet dhe në disa komuna tjera është një tjetër problem i madh i trashëguar dhe me të cilin jemi marrë brenda mandatit tim”, është shprehur ministri Matoshi.

Ai ka bërë me dije se në kuadër të Task Forcës ndërministrore për Ajrin, kanë adresuar çështje te rëndësishme, bashkë me ministritë tjera dhe donatorët kanë marrë veprime konkrete në reduktimin e ndotjes së ajrit.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jetlir Zyberaj, këshilltar i ministrit në detyrë të Punëve të…