Milazim Krasniqi: LDK-së i duhet një lider i ri

26 dhjetor 2019 | 00:10

Njëri ndër themeluesit e LDK-së, profesori Milazim Krasniqi, ka komentuar mosarritjen e marrëveshjes LV-LDK.

Ai ka thënë se vota për LDK-në nuk ka qenë votë e ndryshimit, po ka qenë votë e vendnumërimit. “LDK ka vite që është parti e vendnumërimit”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka shtuar se LDK-ja  ka përgjegjësi konkrete, bashkë me PDK-në e AAK-në për degradimin ndër vite të skenës politike dhe të jetës shoqërore në Kosovë.

“Kush thotë që LDK-ja mund të bëjë ndryshime me një kryetar inatçor e një kandidate servile ndaj Albinit e agresive ndaj Agimit, thjesht gënjen. Për të dalë nga istikami i vendnumërimit, LDK-së i duhet një lider i ri, që del edhe kandidat për kryeminstër vetë e nuk e jep atë post me qira. Këmbëngulja në postin e presidentit është pretekst”, ka shkruar Krasniqi.

Në një postim më herët, Krasniqi ka dhënë një vlerësim edhe për Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai ka thënë se vota për LV-në nuk ka qenë votë e ndryshimit, po ka qenë votë e dëshpërimit.

“LV-ja edhe vetë është parti e dëshpërimit, sepse ka lindur si reaksion ndaj prezencës ndërkombëtare dhe keqqeverisjes nga partitë e tjera shqiptare. Kush thotë që LV është parti e shpresës, thjesht gënjen. Është parti e zorit. Ajo mund të bëhet parti e shpresës nëse qeverisë mirë, por sot për sot nuk është parti e shpresës. Vota duhet të lexohet drejt, nëse synohet të gjendet zgjidhje e duhur”.

“Edhe deklarata e sontme e Albinit ishte deklaratë e dëshpërimit, jo e shpresës. Më dëshpëroi edhe mua, sepse dështimi na dëshpëron e na dëmton të gjithëve. Shype, mësoni t’ua thoni sendeve emrat e saktë dhe t’i lexoni mesazhet saktë, nëse doni të dilni nga dëshpërimi!”, ka shkruar Krasniqi.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Analisti politik Imer Mushkolaj në "Interaktiv" të KTV-së ka folur…