DISKURSIT TONË PUBLIK I MUNGOJNË FILTRAT MORAL

26 dhjetor 2019 | 18:40

Në kohën kur populli pret kthjelltësi më të madhe, një numër i madh mendimtarësh aspak të pavarur po e mjegullojnë edhe më tepër hapësirën tonë publike.

Kjo mënyrë e të gjykuarit partizançe burimin e ka te pamundësia e formimit të një mase kritike të të menduarit, dhe për pasojë shoqëria kosovare vazhdoi të polarizohet jo mbi bazën e ideve e pikëpamjeve, por mbi istikamet e betejave të pakuptimta politike.

Nga Mehmet PRISHTINA

Sot nuk është shumë problem të jesh një tifoz partiak. Në momentin kur tifozeria bëhet kriteri kryesor në vlerësim, që atëherë ka pushuar së ekzistuari mendimi i pavarur publik. Shoqëria kosovare, sot më tepër se kurdo herë më parë,  vuan nga mungesa e një mendimi të pavarur.

Kjo po dëshmohet dhe në këto momente vendimtare kur krerët politikë nuk arrijnë të gjejnë kompromis për formimin e institucioneve të reja të dala pas zgjedhjeve të 6 tetorit. Në situata të tilla një rezon i pjekur intelektual, mbipartiak, do të ishte më se i nevojshëm dhe i domosdoshëm, sepse ajo çka po ndodhë aktualisht në opinionin publik nuk është në favor të afrimi të qëndrimeve, por përkundrazi, një diskurs i tillë publik mjaft i polarizuar thellon edhe më tej logjikën e ndarjes dhe mosbashkëpunimit.

Kosova pas zgjedhjeve të fundit doli mjaft e fuqishme në idenë se në politikë po ndodhë një përmbysje skemash, ku e vjetra po zëvendësohej me të renë, kurse emërues i përbashkët i kësaj përmbysje do të ishte ndryshimi. Pra votuesit nuk zgjodhën rrugën e vjetër nga kishte kaluar treni i lodhur i amortizimeve politike, ekonomike, zhvillimore, por zgjodhën një pistë të re prej nga do të startonte etapa e re e ndryshimeve në politkbërje dhe në kulturën institucionale përgjithësisht.

Sot kur duhej të konstituohej përbërja e re e Parlamentit të Kosovës dhe të konfirmohet edhe kabineti i ri qeverisës, votuesit mbetën të zhgënjyer. Ata nuk e kanë pritur këtë ‘dhuratë’ të fundvitit nga të zgjedhurit e tyre. Votuesit e Kosovës meritojnë një respekt më të madh për guximin e shprehur më 6 tetor dhe në asnjë mënyrë ky guxim nuk guxon të nëpërkëmbet.

Tani kur duhet të dëgjojmë e lexojmë mendime të pavarura e të pjekura, skenën publike e ka kapluar njëmendësia e analizave të njëanshme dhe e vlerësimeve me ngjyrime të theksuara partiake. Në kohën kur populli pret kthjelltësi më të madhe, një numër i madh mendimtarësh aspak të pavarur po e mjegullojnë edhe më tepër hapësirën tonë publike.

Kjo mënyrë e të gjykuarit partizançe burimin e ka te pamundësia e formimit të një mase kritike të të menduarit, dhe për pasojë shoqëria kosovare vazhdoi të polarizohet jo mbi bazën e ideve e pikëpamjeve, por mbi istikamet e betejave të pakuptimta politike.

Neve na mungojnë personalitete me autoritet të pakontestuar moral, intelektual e patriotik që me gjykimet e tyre të drejta e të paanshme do të dilnin mbi palët. Na mungon një Sabri Godo, apo një Adem Demaç, të cilët në momente sensitive ditën të japin këshilla shpresëdhënëse dhe shprehën pa hezitim mendimet e tyre që më vonë u bënë udhërrëfim për dalje nga kriza.

Neve na mungojnë edhe institucionet e pavarura, të cilat në bazë të hulumtimeve shkencore e të paanshme do të ofronin vizionin e tyre për të ardhmen e proceseve, duke shigjetuar linjat kryesore nga duhet të lëviz zhvillimi mendor e politik i vendit. Sikur t’i kishim tani këto institucionet, situatat nuk do të dilnin kaq të paqarta, kurse aktorët e politikës në tavolinë do të kishin disa reflektorë që do të hidhnin më shumë dritë mbi rebusin e zhvillimeve.

Diskursit tonë publik i mungon masa kritike e njerëzve me autoritet moral dhe e institucioneve të pavarura shkencore e profesionale, të cilët do të mbanin llogari më tepër për interesat e popullit, kurse ndaj partive, pa dallim se për kë bëhet fjalë, do të ishin shumë kritikë. Vetëm atëherë kur në Kosovë do të instalohet një frymë e tillë e mendimit kritik, do të ketë gjasa që jeta institucionale të vendoset mbi binarë normalë të funksionimit dhe vetëm atëherë politikanët do të kenë kujdes me veprimet e tyre të pamatura dhe me pasojat për fatet e kombit.

Një shoqëri ka nevojë për filtra moral që parandalojnë gazrat e këqija që prodhon politika. Mendjet e zgjuara të kombit duhet të bëhen bashkë që të pajisemi me filtra të tillë, sepse vetëm kështu mund të krijohen parakushtet për një higjienë më të madhe etike e morale në politikë, dhe në diskursin publik përgjithësisht.

Prishtinë, 26 dhjetor.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me Shoqatën e Gazetarëve…