LV-ja dorëzon kallëzim penal për anëtarin e Nismës që kërcënoi Kurtin
Përfaqësuesi i zyrës ligjore të Lëvizjes Vetëvendosje, Berat Ganiqi, ka dorëzuar kallëzim penal në stacionin policor në Prishtinë, ndaj anëtarit të Nismës Socialdemokrate, Haxhi Hotit, pasi ky i fundit përmes një shkrimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se Albin Kurti i ka dy opsione, ose ta lëshojë Kosovën ose mund të vritet.
“Pasi u sinjalizuam nga mediat për një kërcënim brutal drejtuar kryetarit të Lëvizjes, Albin Kurtit, përfaqësuesi i zyrës ligjore të Lëvizjes, Berat Ganiqi, dorëzoi një kallëzim penal në stacionin policor “Qendër”, në Prishtinë”, është bërë me dije në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Ne nuk e dimë nëse ai kërcënim ka qenë i porositur, gjakftohtë, apo i nxitur nga kultura e urrejtjes ndaj Lëvizjes, e cila është kultivuar për vite me radhë nga subjektet e pushtetit, që janë pasuruar paligjshëm duke varfëruar Kosovën. Këto gjëra duhet t’i zbulojë policia e prokuroria”, thuhet në këtë reagim.
Reagimi i plotë i Lëvizjes Vetëvendosje:
Gjuha e krimit nuk ka vend në politikë
Pasi u sinjalizuam nga mediat për një kërcënim brutal drejtuar kryetarit të Lëvizjes, Albin Kurtit, përfaqësuesi i zyrës ligjore të Lëvizjes, Berat Ganiqi, dorëzoi një kallëzim penal në stacionin policor “Qendër”, në Prishtinë.
Ne nuk e dimë nëse ai kërcënim ka qenë i porositur, gjakftohtë, apo i nxitur nga kultura e urrejtjes ndaj Lëvizjes, e cila është kultivuar për vite me radhë nga subjektet e pushtetit, që janë pasuruar paligjshëm duke varfëruar Kosovën. Këto gjëra duhet t’i zbulojë policia e prokuroria.
Megjithatë, rasti ka rrethana rënduese, për shkak se kërcënuesi është pjesë e listës së kandidatëve për Kuvendin e Republikës, nga një parti e koalicionit PAN, të shquar për keqqeverisje e kapje të shtetit. Përveç subjektit të vet partiak, nga postimet e tij publike në rrjete sociale kuptohet se kërcënuesi është edhe adhurues i madh i presidentit të Republikës.
Shpesh e shohim fenomenin e përzierjes së elementëve me prirje të dhunshme e kriminale me elitat politike, ligjvënëse e ekzekutive. Pikërisht këtë fenomen synon ta luftojë Lëvizja VETËVENDOSJE! Populli i Kosovës nuk dëshiron që kriminelët të jenë në pozita pushteti.
I vlerësojmë faktorët publikë e politikë, si edhe qytetarët që distancohen dhe dënojnë pa ekuivok dhe pa relativizim këtë sjellje të papranueshme. Presim nga policia e prokuroria të veprojnë sipas ligjit.
Kosova e ka vetëm një rrugë përpara, atë të ligjit e të zhvillimit, në luftë pa kompromis kundër krimit, pabarazisë dhe injorancës.