Bastiset shtëpia e Haxhi Hotit që kërcënoi Albin Kurtin, policia jep detaje
Është bastisur shtëpia e anëtarit të partisë Nisma Socialdemokratie, Haxhi Hotit, i cili ka qenë edhe kandidat për deputet, pasi i njëjti përmes një shkrimi në “Facebook” ka thënë se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dy opsione, ose ta lëshojë Kosovën ose mund të vritet.
Lajmin për “Klan Kosova” e ka konfirmuar zyrtari i Policisë për Informim, Baki Kelani, i cili ka thënë se personi në fjalë është kërkuar nga Policia – pa dhënë detaje nëse është arrestuar ose jo.
“Mund të konfirmojmë se Policia e Kosovës e ka trajtuar informacionin e publikuar dhe sipas detyrës zyrtare ka ndërmarr veprimet konform autorizimeve ligjore që ka. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”.
Postimi i Hotit për Kurtin ka ngjallur reagime të shumta.
Nisma Socialdemokrate është distancuar nga komentimet e anëtarit të saj.
Endrit Shala në një prononcim për “Klan Kosova” ka thënë se “distancohemi nga çdo qëndrim individual i çdokujt që është në kundërshtim me parimet që i ka Nisma Socialdemokrate”.
Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar kallëzim penal në stacionin policor “Qendër”, në Prishtinë ndaj personit në fjalë.