Askush s’mund t’i përçajë shqiptarët

01 janar 2020 | 11:49

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se shqiptarët asnjëherë nuk kanë qenë më të fuqishëm se tani.

Në këtë intervistë dhënë për numrin festiv të gazetës “Epoka e re”, ai ka thënë se Kosova dhe Shqipëria, si dy shtete në Ballkan, e bëjnë më të avancuar pozitën e popullit shqiptar në këtë pjesë të Evropës. Duke folur për përplasjet e fundit me kryeministrin shqiptar Edi Rama, ai ka thënë se pak ka rëndësi se çka ndodh me të dhe me Ramën. Sipas tij, ata janë të përkohshëm, ndërsa populli dhe atdheu janë të përhershëm. Haradinaj ka thënë se askush nuk mund t’i përçajë dhe t’i dobësojë shqiptarët.

“Epoka e re”: Z. Haradinaj, si po e përmbyll Kosova këtë vit?

Haradinaj: Nuk ka qenë vit i lehtë, ka qenë vit me plot sfida. Një nga sfidat ishte dorëheqja e qeverisë dhe shkuarja në zgjedhje, të cilat kanë përfunduar me sukses. Tani është me rëndësi ndërtimi i institucioneve. Ndërkohë, Kosova është më e konsoliduar sesa ka qenë ndonjëherë në historinë e vet. Zbatimi i rendit dhe ligjit po ndodh në të gjithë vendin, çështja e ‘Trepçës’ është zgjidhur, pavarësia energjetike është arritur, kemi filluar unifikimin e tregut me Shqipërinë në energji, ushtria jonë po merr rritë dhe prodhuesit e vendit po marrin frymë më lirshëm për shkak të taksës ndaj Serbisë. Pra, kanë arritur të konsolidohen dhe të jenë më të qëndrueshëm sesa kanë qenë në të kaluarën.

“Epoka e re”: A keni menduar se këtë vit do ta përmbyllini me dorëheqje?

Haradinaj: Kur kam dhënë dorëheqje në fund të korrikut kam pritur se pas dy apo tre muajve nuk do të vijë më në këtë zyrë. Pra, kam pritur se menjëherë pas zgjedhjeve do të krijohen institucionet e vendit. Pas zgjedhjeve të suksesshme kam pritur se procesi i konstituimit të institucioneve të ndodhë më shpejt.

“Epoka e re”: Ka pasur deklarime nga njohësit e çështjeve kushtetuese, se pas dorëheqjes ju është dashur ta lëshoni zyrën e kryeministrit?

Haradinaj: Tani shihet se a kanë qenë në rregull ato pretendime. Imagjinojeni funksionimin e shtetit, funksionimin e të gjithë resorëve se sa të ndjeshëm janë. Ende nuk e ndien qytetari i Kosovës që s’ka qeveri të re. Pra, dobësimi i aspekteve qeverisëse do të ishte fatal për Kosovën në këtë kohë të tranzicionit. Do të ishte kthim prapa, sepse në mezi e kemi krijuar këtë gjendje.

“Epoka e re”: Megjithatë, në mbledhjen e parë të qeverisë, pas dorëheqjes suaj, pati hezitime të merreshin vendime, duke pretenduar se ato mund të jenë kundër kushtetuese. Kurse tash është rikthyer qeveria dhe po mban mbledhje e po merren vendime. Pse ndodhi kjo?

Haradinaj: Hezitimi mund të ketë qenë edhe çështje e hidhërimit politik sepse unë dhashë dorëheqje duke e çuar vendin në zgjedhje, duke ndërprerë pushtetin për kolegët e mi në qeveri. Pra, ka pasur disa hidhërime, por nuk ka hezitim të bazës kushtetuese apo ligjore për veprim. Një qeveri në dorëheqje ushtron detyra qeverisëse deri në ardhjen e qeverisë së re. Qeverisja nuk parashihet me vakum.

 “Epoka e re”: Për shkak të taksës ndaj Serbisë, Kosova gjatë këtij viti është përballur me një presion nga ndërkombëtarët. Madje jeni kritikuar për këtë, se po e izoloni Kosovën?

Haradinaj: Kosova ka qenë e izoluar, nuk mund ta izolosh më shumë sesa ka qenë. Qasja e përshtatshmërisë e ka lënë Kosovën si të paaftë. Kthimi te vetvetja ka rezultuar me një Kosovë që është më sovrane, që qeveriset vetë dhe që duhet për ta respektuar. Nuk është se taksa e ka izoluar Kosovën, taksa e ka kthyer në tavolinë Kosovën si palë të barabartë.

“Epoka e re”: A ka ndikuar taksa në procesin e liberalizimit të vizave?

Haradinaj: Ne i kemi përmbushur të gjitha kushtet për liberalizim, tani kjo është çështje politike e zhvillimeve të brendshme të Evropës dhe nuk lidhet me taksën. Ne kriteret i kemi përmbushur. Vendet lidere të BE-së, si Gjermania, e kanë marrë iniciativën për të ecur përpara. Nuk ka ndodhur izolim për shkak të taksës, përkundrazi Kosova është imponuar me këtë fuqi të vetën të marrë vendime sovrane.

“Epoka e re”: Kur mendoni se mund të ndodhë liberalizmi? Ju keni përmendur Krishtlindjet, ndërsa tash vitin tjetër?

Haradinaj: Nuk do të shkojë në pakufi kjo çështje. Mua më vjen keq prej qytetarëve që po na bëhet një e padrejtë e tillë nga Evropa. Nuk duhet të mbahen të izoluar dy milionë njerëz të Kosovës kur Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet. Këtë e ka konstatuar Komisioni i BE-së dhe për këtë ka votuar Parlamenti i BE-së, ndërsa tani është Këshilli i BE-së që duhet të vendosë. Nëse Këshilli i BE-së nuk e vendos në rend dite në mbledhjen e parë të vitit që vjen, atëherë vërtet janë duke u sjell keq me Kosovën dhe me qytetarët e saj. Nëse nuk hyjmë në agjendë në mbledhjen e parë të Këshillit të BE-së, që mbahet diku në fund të shkurtit apo në fillim marsit, atëherë dihet se po bëhet kjo me qëllim dhe dihet që është agjendë për të na mbajtur të izoluar. Për këtë duhet të na tregojnë pse po ndodh kjo.

 “Epoka e re”: Ka pasur shqetësime se liberalizimi mund të ndërlidhet me procesin e dialogut me Serbinë. Mund të ndodhë kjo?

Haradinaj: Edhe liberalizimi i vizave është kontratë Kosovë – BE. Ata i kanë vendosur kushtet, ne i kemi plotësuar ato, ndërsa atyre u ka mbetur marrja e vendimit në Këshill. Çdo temë e ka rëndësinë e vet, por liberalizmi është një kontratë në vete. Ata mund të arsyetohen në mënyra të ndryshme për të mos na dhënë liberalizimin, por është e pakuptimtë t’ua bëjnë këtë të padrejtë dy milionë evropianëve.

“Epoka e re”: Përveç dhënies së datave për liberalizim të vizave, jeni kritikuar shumë edhe për shpenzime gjatë qeverisjes suaj, duke i prekur edhe rezervat shtetërore?

Haradinaj: Nuk po shpjegohet drejt se çka është buxheti në Kosovë. Buxheti implementohet, është një planifikim vjetor i parave të Kosovës që duhet për t’i dërguar diku. Pra, buxheti është kontratë njëvjeçare. Më 31 dhjetor të gjitha mjetet që nuk kanë hyrë në punë e nxjerrin humbës qytetarin, sepse ato mjete nuk kanë shkuar atje ku është dashur të shkojnë. Për shembull, nëse kryetarit të Prizrenit i teprojnë paratë, në Prizren e lavdërojnë, duke thënë se nuk i harxhoi paratë, kurse prizrenasit janë humbës, sepse ato para kanë qenë të dedikuara të shkojnë për ta. Apo një ministër që nuk i ka futur paratë në punë, ai resor është humbës. Këtu te ne të lavdërojnë, duke thënë se ky i ka ruajtur paratë, ndërsa kur i fusin në punë, thonë i harxhoi. Për këtë ne bëjmë alokime e rialokime dy-tri herë gjatë vitit. Pastaj rezerva është paraparë të hyjë në punë gjatë një viti. Nuk bartet në vitin tjetër. Nëse nuk e implementon rezervën është pazotësi, sepse edhe rezerva është menduar për diçka. E kuptoj dëshirën për ta kritikuar Qeverinë Haradinaj për shpenzime, sepse hera e parë është që po bëhet transparent çdo shpenzim. Pra, qytetarët e dinë për çdo cent se ku ka shkuar.

“Epoka e re”: Gjatë këtij viti cili ka qenë momenti më i vështirë për ju si kryeministër i vendit?
Haradinaj: Ka pasur vështirësi. Unë kam paralajmëruar qysh në fillim të mandatit një kurs të ri politik. Moment i vështirë për mua ka qenë të ballafaqohem me BE-në në dhjetor të vitit 2017, në takimin e Këshillit të MSA-së me Mogherinin, për dialogun dhe tema të tjera. Kursi i saj për Kosovën ka qenë tepër gabim. Dialogu i saj ka qenë për ndarjen e Kosovës. Nga aty ka filluar një thyerje e madhe me të. Moment tjetër i vështirë ka qenë t’i shtysh njerëzit që të prodhojnë energji në Kosovë. Gjatë kësaj qeverie nuk është rritur asnjëherë çmimi i energjisë, ju e dini se më herët kemi protestuar në shesh, sepse çdo tre muaj u rritke tarifa e energjisë. Pra, nuk ka qenë ky një moment i lehtë, sepse kam hyrë në luftë me rrjete të fuqishme të shitjes së energjisë të cilat nuk të falin aq lehtë.

 “Epoka e re”: A e keni pasur përkrahjen e duhur nga partnerët e koalicionit në këto vendime?

Haradinaj: Ne bashkë kemi rrugëtuar. Në momente të caktuara ka ndodhur njëfarë dobësimi i qëndrimeve të tyre. Duhet të dimë se lëkundjet në qëndrime janë të dëmshme sepse pastaj i japim shpresë palës tjetër se, nëse të dobëson, edhe të mund. Për këtë çështje jam mërzitur me partnerët e mi në raste të caktuara, sepse nuk kanë qenë të qëndrueshëm. Në këto tema duhet me u matë para se me hy. Po ta hiqnim taksën më dëm do t’i kishim bërë Kosovës sesa mos ta kishim vënë.

“Epoka e re”: Çfarë raporte keni me presidentin e vendit, kryetarin e PDK-së dhe kryetarin e Nismës?

Haradinaj: Kemi një ftohje raportesh me presidentin sepse ju i dini ato diskutimet e hershme rreth mënyrës së dialogut dhe idesë për korrigjim të kufijve. Pra, kemi pasur probleme serioze në një kohë, sepse presidenti ka qenë shumë aktiv në këto angazhime. Ndërsa, siç e dini, unë kam qenë në anën e kundërt. Megjithatë, kemi ruajtur komunikim institucional. E kemi rastin e tërmetit në Shqipëri, ku kemi funksionuar si institucione. Ka edhe raste të tjera që komunikojmë. Natyrisht që komunikoj edhe me z. Veseli, z. Limaj.

“Epoka e re”: Me këto qëndrime rreth taksës, ia keni lehtësuar apo vështirësuar punën pasardhësit tuaj?

Haradinaj: Sot Kosova është tjetër vend. Kur kam qenë unë mandatar para dy vjetësh ka qenë problematike gjendja në vend, si rendi, ligji, siguria në veri dhe shumë probleme të tjera. Tash Albin Kurti e ka livadh, le të flasë çfarë të dojë, sepse Kosova është funksionale. Vonesat për krijimin e qeverisë së re nuk sjellin ndonjë problem në Kosovë. Natyrisht se është mirë që sa më shpejt ta bëjë qeverinë e re, por kështu nuk ka qenë kur e kam marrë unë mandatin. Kosova ka ndryshuar fort për dy vjet të qeverisjes sime.

“Epoka e re”: Mendoni se ai do ta ketë më lehtë se ju?

Haradinaj: Ju po e shihni edhe vetë. A ka ndonjë shqetësim në Kosovë? Çdo gjë është funksionale në këtë vend, si në jug e veri, ashtu edhe në lindje e perëndim. Ai të dalë e të thotë çfarë të dojë publikisht. Merret me Sanxhakun, me Maqedoninë, me Tiranën, mos të flasim për të tjerat. Ka nge kryeministri i ardhshëm, i cili do të vijë dhe do të merret me shëndetësi, arsim dhe t’i ndalë harxhimet e paarsyeshme e ta çkapë shtetin qysh po thotë. Por, prapëseprapë Kosova po funksionon. Tani Kosova është tjetër. Kjo është dëshmuar edhe në ditën e zgjedhjeve. Kjo teoria se po e çkapim shtetin, e shteti është aq me dinjitet në zgjedhje, nuk shkon. Ju e patë çfarë dinjiteti treguan institucionet ditën e zgjedhjeve. Nuk është lënduar vullneti i qytetarit, nuk ka asnjë raport që thotë se është lënduar vullneti i qytetarit prej pushtetit. Opozita është trajtuar me respekt gjatë gjithë kohës së qeverisjes time. Asnjë diskriminim apo ndëshkim nuk iu ka bërë opozitës në këtë mandat. Përkundrazi, e kemi respektuar gjatë gjithë mandatit. E kemi respektuar ditën e zgjedhjeve dhe e kemi respektuar rezultatin. Kjo është Kosova që e kemi krijuar bashkë. Kjo është meritë e pozitës dhe opozitës. Pra, është meritë edhe e pozitës e cila ka ditur të sillet asisoj që t’i japë hapësirë opozitës që të vijë deri te fitoja. Ka vende të tjera që nuk e lejojnë opozitën të vijë deri te fitorja. Ne i shohim këto në të dyja anët e Kosovës. Këtu nuk e ka penguar dikush opozitën për të fituar, për t’u rritur dhe që të ndihet e lirë. Dua ta përmend rastin Dehari si ka ardhur kjo qeveri, unë dhe ministri Abelard Tahiri e kemi pranuar familjen Dehari, duke i thënë çfarë dëshiron. Kemi paguar paratë për ekspertizë jashtë vendit, aty ku ka dashur familja. Kjo qeveri ka qenë njerëzore dhe u ka kushtuar vëmendje temave me interes nacional.

“Epoka e re”: Meqenëse po i përmendeni punët që i keni bërë, pse nuk morët vota më shumë?

Haradinaj: Kam prishur shumë plane dhe kam bërë shumë armiq gjatë dy vjetëve të qeverisjes sime. Kemi dalë kundër shumë erërave të fuqishme. Unë nuk jam shumica sot, por kam bërë punë për shumicën. Nuk kam qenë as në kohën e luftës për liri shumicë, por kemi bërë punë për shumicën. E vërtetë është ajo që thotë Surroi, se UÇK-ja nuk ka qenë shumicë. Por, si pakicë kam kryer mision në shërbim të shumicës. AAK-ja sot nuk është shumicë, por ka kryer punë në funksion të shumicës për qindra vjet. Jo çdoherë duke i takuar shumicës i kryen punët e shumicës. Ka shumë raste kur nuk je në shumicë por kryen punë për shumicën. Kjo i ka ndodhur Kosovës gjatë kësaj qeverie. Pra, nuk kam synuar ta përvetësoj shumicën, por t’i kryej disa punë që i mbesin këtij vendi. Asnjë resurs i Kosovës nuk është sot i kontestuar prej ndonjë vendi tjetër ose prej dikujt që pretendon se ka hise në Kosovë. Ushtria, energjia dhe taksa, këto janë punët që ne i kemi bërë.

“Epoka e re”: Në këtë performancë jo të mirë të AAK-së në zgjedhje, a ka ndikuar dhe koalicioni me PSD-në?

Haradinaj: Ne kemi pasur vështirësi sepse, kuptohet, unë kam dalë kundër plot mekanizmave dhe institucioneve relevante për parime. Unë nuk e kam marrë me të mirë kategorinë e atyre që kanë predikuar se duhet të shkohet për të luftuar në Lindje. Unë nuk jam kundër fesë islame, ose kundër besimtarëve islamë. Unë kam dalë herët kundër talibanëve dhe e kam paguar çmimin atëherë dhe e paguaj edhe sot. Mirë që falë asaj vetëdije më pak djem e vajza iu kanë vrarë Kosovës në Siri. Mirëpo kur është ardhur momenti i vështirë, unë ata i kam sjell mbrapa në Kosovë. I vetmi vend në botë është Kosova që i ka kthyer mbrapa qytetarët e vet nga Siria. Pra, kam dalë kundër krejt zhvillimeve që kanë qenë kundër interesave të vendit dhe këto më kanë kushtuar.

“Epoka e re”: Kosova dhe Shqipëria kohët e fundit nuk janë në një vijë për disa çështje. Çka po ndodh?

Haradinaj: Krejt shqiptarët, pavarësisht feve, krahinave, partive politike, jemi vëllezër e motra. Ne jemi një. Por, për interesa nacionale nuk kam qare pa u pozicionuar. Dhe kur pozicionohem nuk e bëj për inat të njërit apo për hatër të njërit, sepse për interes nacional janë vrarë Shkëlzeni, Luani dhe familja ime i ka kaluar ato që i ka përjetuar. Kur kam dalë kundër ndarjes dhe kundër asaj se ‘Trepça’ t’i mbetet Serbisë nuk mërzitem se kush hidhërohet. Aty është burimi i ndasive që kemi. U kërkojmë falje të gjithë shqiptarëve që i mërzitim tash me këtë gjuhë që përdoret. Me dhimben shqiptarët e Shqipërisë, vëllezërit e motrat e jugut, sepse ne kur i kemi vendosur taksë Serbisë, është dashur që Shqipëria ta fitojë tregun në Kosovë. Kur Kosova iu heq si treg Serbisë, në vend se Shqipëria ta marrë këtë treg, shqiptarët mes vete kanë vendosur taksë në rrugë, e cila është 42 euro për kamion e 5 euro për makinë. Pra, ne kemi vendosur bllokadë që mos me u lidh këto ekonomi. I vetmi treg përmes të cilit ka mundur të forcohet Shqipëria dhe të bëhet ekonomia më e madhe, është tregu i Kosovës. Mirëpo në atë kohë Shqipëria ia ndaloi vetes një treg, duke vendosur taksë. Ato miliona që i merr me taksë në rrugë, ka mundur t’i marrë duke e pushtuar tregun e Kosovës.

 “Epoka e re”: A ka rrezik që këto raporte vëllazërore të dëmtohen nga këto përplasje?

Haradinaj: Ne jemi të përkohshëm, unë dhe z. Rama, dhe të gjithë. Vetëm populli dhe atdheu janë të përjetshëm. Pra, nuk ka lidhje çka ndodh me mua dhe Ramën, apo me ndonjë Ramush apo Ramë tjetër. E rëndësishme është që Kosova ka shpëtuar të mos ndahet. Po ashtu, e rëndësishme është që shqiptarët, kudo që janë, kurrë më të zotë nuk kanë qenë. Kemi dy shtete në Ballkan, kemi pozicion të avancuar në Ballkan. E di që askush nuk mund t’i dobësojë shqiptarët, as me përçarje e as duke i nxitur kundër njërit-tjetrit. Ne mund të bëjmë më shumë si dy vende që të integrohemi më shumë. Ashtu siç kemi bërë në energji, me marrëveshjen për unifikim të tregut, duhet të bëjmë edhe në ekonomi. Heqja e taksës në rrugën e kombit nuk bëhet vetëm për t’ua kursyer disa para qytetarëve të Kosovës, ajo bëhet që ta lidhim tregun. Po thonë se ka taksë gjithkund, ne kemi nevojë për treg të njërit-tjetrit, jo për taksa në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.

(Muhamet Koci /Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vedat Muriqi nuk do të lëviz nga Fenerbahçe në afatin…