Policia ka arritur rezultate në zvogëlimin e krimeve

02 janar 2020 | 20:18

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka bërë me dije se policia vitin 2019 e ka përmbyllur suksesshëm pasi, sipas tij, edhe pse ka qenë një vit me shumë sfida, rezultatet tregojnë se ka pasur një trend të zvogëlimit të krimeve të të gjitha llojeve.

Ai ka theksuar se situata e sigurisë në vend është stabile. Sipas tij, nuk ka ndonjë shqetësim që ndikon në sigurinë nacionale të vendit.

“Epoka e re”: Z. Qalaj, si po e përmbyll 2019-n Policia e Kosovës?

Qalaj: Policia e Kosovës këtë vit e ka përmbyllur suksesshëm, duke u bazuar në faktin e rezultateve të mira që kemi pasur. Edhe pse ka qenë një vit me shumë sfida, me shumë ngarkesa dhe aktivitete, rezultatet tregojnë se kemi pasur një trend të zvogëlimit të krimeve të të gjitha llojeve dhe kjo është baza e suksesit të Policisë së Kosovës. Kemi pasur sukses edhe në organizimin e brendshëm të disiplinës. Ne jemi duke punuar në shumë dimensione. Mund të them se krahas sukseseve nuk kemi arritur ta shtyjmë ende çështjen e pensionimit të policëve që ka qenë edhe premtim që nga fillimi i mandatit tim. Po ashtu, edhe çështja e sigurimit shëndetësor dhe jetësor për policët. Sa i përket ligjit për pensionim të parakohshëm, në fakt draftligji ka përfunduar dhe e kemi dërguar në Ministrinë e Financave por, si pasojë dorëheqjes së kryeministrit, procesi u ndal. Një nga sukseset e mëdha ka qenë edhe dërgimi në Akademinë për Siguri Publike në Vushtrri të dy gjeneratave, njëra që ka diplomuar dhe gjenerata e dytë që po vazhdon trajnimin. Kemi pasur gjeneratat më të mëdha për nga numri që nga themelimi i Policisë së Kosovës. Mund të them lirisht se janë edhe gjeneratat më të përgatitura qoftë nga aspekti profesional dhe ai fizik. Besoj se diku nga muaji qershor në vitin e ardhshëm do ta dërgojmë edhe gjeneratën tjetër, meqenëse i kemi vendet e zbrazura në Policinë e Kosovës që ta dërgojmë edhe gjeneratën e re. Nëse kemi fat që të kalojë Ligji për pensionim të parakohshëm normalisht se do të rekrutojmë edhe njerëz të rinj për t’i zëvendësuar ata që pensionohen. Besoj se këto tri gjenerata do ta përmbushin nevojën e Policisë së Kosovës për kuadro të reja.

“Epoka e re”: Cili ka qenë bashkëpunimi me udhëheqësit në stacionet policore në komuna?

Qalaj: E gjithë puna e policisë varet nga policët në terren. Policët në terren janë pjesëtarë të stacioneve policore varësisht se ku jetojnë dhe veprojnë. Mund të them se edhe suksesi i përgjithshëm u adresohet policëve, pasi ata ua ofrojnë ndihmën e parë qytetarëve, pastaj janë eprorët, udhëheqësit e ndërrimeve, pastaj zinxhiri komandues, komandantët e stacioneve të cilët kanë një meritë të madhe për arritjen e këtyre sukseseve.

“Epoka e re”: Po bashkëpunimi me stacionin policor në veri, sepse keni pasur edhe aksione ndaj grupeve kriminale.

Qalaj: Kemi pasur bashkëpunim të mirë me kolegët që jetojnë në veri të vendit, natyrisht se kemi pasur disa sfida edhe të natyrës politike. Situata në veri është shumë më mirë sesa në vitet e kaluara. Prapëseprapë i kemi disa probleme, mirëpo mund të them se bashkëpunimi i kolegëve që punojnë në veri dhe pjesës tjetër të Kosovës është i mirë. Pavarësisht prej aksioneve që ka pasur policia në veri nuk kemi pasur asnjë shqetësim nga banorët lokalë. Ata i kanë përkrahur aksionet e Policisë së Kosovë, meqenëse këto aksione kanë qenë kundër personave që kanë qenë të përfshirë në vepra të ndryshme kriminale. Kohët e fundit kemi parë hulumtime që kanë trajtuar aspektin e sigurisë dhe shihet se besueshmëria ndaj policisë po rritet.

 “Epoka e re”: Gjatë vitit që po lëmë pas policia ka realizuar edhe disa fushata vetëdijesuese për në trafik?

Qalaj: Edhe një jetë e humbur është dëm i madh për këtë vend. Është fatkeqësi se situatën në trafik nuk e kemi në nivelin e dëshiruar edhe pse kemi më pak vdekje nëse e krahasojmë me vitin e kaluar, mirëpo është larg gjendjes që ne synojmë ta kemi. Kjo për faktin se ende mungon një kulturë e ngasjes së automjetit në vendin tonë. Gjithmonë kur flasim për gjendjen në trafik dhe për sigurinë në rrugë, u referohemi statistikave. Unë mendoj se është e gabuar. Statistikat janë indikatorë për gjendjen e sigurisë në trafik, por ne duhet të flasim më shumë për kulturën e ngasjes së automjetit dhe kulturën e sjelljes së qytetarëve në komunikacion që besoj nuk është në nivelin që e dëshirojmë. Ne jemi duke u munduar që me sa më shumë aktivitete vetëdijesuese, me sa më shumë kampanja dhe në bashkëpunim me mediet ta bëjmë një sensibilizim të qytetarëve karshi sigurisë në trafik, mirëpo besoj se duhet një qasje pak më ndryshe, duke e përfshirë edhe Ministrinë e Arsimit e cila mund të trajtojë në shkolla fillore këtë fenomen.

“Epoka e re”: Si e vlerësoni situatën e sigurisë për këtë vit që po lëmë?

Qalaj: Mund të them se situata e sigurisë është stabile. Nuk kemi ndonjë shqetësim që ndikon në sigurinë nacionale të vendit. Normalisht se incidente do të ketë, mirëpo këto incidente janë të izoluara dhe nuk ndikojnë në situatën e sigurisë së përgjithshme në vend.

“Epoka e re”: Po për festat e fundvitit, keni marrë masa për sigurinë?

Qalaj: Ka mobilizim të madh nga ana jonë si institucion. Policia është në gatishmëri për të ofruar siguri për të gjithë qytetarët që këto festa t’i kalojnë sa më mirë.

“Epoka e re”: Si ka qenë në 2019-n bashkëpunimi i Policisë së Kosovës me ato të rajonit?

Qalaj: Këtë vit kemi rritur bashkëpunimin me policinë e Maqedonisë së Veriut, me të cilën kemi arritur të kemi një bashkëpunim të shkëlqyer në të gjitha fushat, edhe në fushën e policisë së rendit, në fushën e luftimit të krimit të organizuar, edhe sa ui përket ushtrimeve të përbashkëta me njësitë speciale. Po ashtu, kemi bërë nënshkrimin e disa memorandumeve të bashkëpunimit me kolegët tanë në Maqedoninë e Veriut. Kemi bashkëpunim të shkëlqyer edhe me Policinë e Shqipërisë. Gjithashtu, kemi bashkëpunim edhe me Policinë e Malit të Zi. Me të vetmen polici që nuk kemi asnjë lloj bashkëpunimi është Policia e Serbisë.

“Epoka e re”: Kosova në 2019-n ka tërhequr aplikimin për anëtarësim në Interpol. A është e gatshme policia në aspektin teknik dhe profesional për të qenë pjesë e kësaj organizate?

Qalaj: Çështja e Interpolit e kalon aspektin e sigurisë pasi është më shumë gjeopolitik. Ju e keni parë edhe më herët se çështjet e ndryshme sa i përket integrimit të institucioneve të Kosovës në mekanizmat e ndryshëm ndërkombëtarë dhe atyre të sigurisë janë duke e lidhur ngushtë me përparimin në dialog. Kjo ka qenë arsyeja kryesore. Ne jemi gjithmonë të gatshëm të jemi pjesë e Interpolit. Policia e Kosovës nuk është vetëm konsumuese e sigurisë, por është në gjendje të ofrojë siguri edhe për rajonin dhe gjithë botën. Mund të them se edhe nga aspekti teknik dhe profesional Policia e Kosovës është e gatshme të jetë pjesë e Interpolit, mirëpo krejt kjo varet prej zhvillimeve politike në rajon.

“Epoka e re”: Sa keni mundur të bëni reforma brenda institucionit që drejtoni?

Qalaj: Reformat nuk ndalen. Ne kemi filluar dhe ky është një proces që vazhdon. Fakti që kemi rënie të madhe të veprave të ndryshme kriminale tregon se reforma po ecën mirë. Po jua jap disa të dhëna të raportit 11-mujor. Duhet ta keni parasysh se rastet kanë shënuar ulje nga 40.447 në 36.536 ose -9.66 për qind, veprat penale kanë shënuar ulje nga 29.535 në 24.631 ose -16.60 për qind, vrasjet kanë shënuar ulje nga 32 në 19, ose -40.62 për qind, lëndimet e rënda trupore kanë shënuar ulje nga 274 në 245 ose -10.58 për qind, po ashtu edhe lëndimet e lehta trupore kanë shënuar ulje nga 2.908 në 2.595 ose -10.76 për qind, vjedhjet kanë shënuar ulje nga 5.402 në 4.131 ose -23.52 për qind, vjedhjet e rënda kanë shënuar ulje nga 4.353 në 3.421 ose -21.41 për qind, grabitjet kanë shënuar ulje nga 261 në 147 ose -43.67 për qind dhe vdekjet e personave në aksidente kanë shënuar ulje nga 110 në 103 ose -6.36 për qind. Çdo sukses për Policinë e Kosovës u dedikohet zyrtarëve policorë në terren, njësiteve policore, hetuesve policorë e të gjithë atyre përfshirë stafin civil dhe atë menaxhues, që me punën e tyre të pakursyer kanë arritur me sukses t’i realizojnë objektivat strategjike të PK-së, të orientuara drejt ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike, parandalimit të krimit dhe arritjes së rezultateve pozitive në të gjitha fushat policore.

Mesazhi i Qalajt për 2020-n?

 “Popullin e Kosovës e uroj për festat e fundvitit. I siguroj se Policia e Kosovës do të angazhohet edhe më shumë për ruajtjen e rendit dhe ligjit në vend. Policia e Kosovës do të angazhohet shumë më shumë për ruajtjen e pronës dhe jetës. Po ashtu, do të ofrojmë shërbime sa më cilësore për të gjithë qytetarët apo edhe për ata qytetarë që kalojnë transit nëpër Kosovë”.

(Faton Dërmaku /Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zlatan Ibrahimoviq edhe zyrtarisht gjatë ditës së enjte ka kompletuar…