Fatkeqësia që nxori në pah solidaritetin që fshihet brenda nesh

02 janar 2020 | 20:31

Valon Murati

 

  1. Edhe ky vit që po lëmë pas është vazhdimësi e një trendi në të cilin ka kohë që shoqëria jonë është futur dhe të cilën nuk po arrin ta ndryshojë. Ky është një trend i cili ka mbushur shoqërinë me plot energji negative, ndikuar më së shumti nga gjuha e ashpër e denigruese në politikën tonë, nga mungesa e tolerancës dhe mirëkuptimit dhe e përcjell herë pas here edhe nga një gjuhë jo shumë pozitive e përcjell përmes mediave si dhe ndikimi i rrjeteve sociale në jetët tona. “Lajmi i keq është lajm i mirë” u bë moto që na mbërtheu si shoqëri. Të bërë bashkë parti politike e politikanë, bartës institucionesh, një pjesë e shoqërisë civile, ekspertë, analistë e opinionistë, gazetarë, madje edhe “opinionistë” të rrjeteve sociale kanë shpërndarë aq pesimizëm në shoqëri saqë duhet mund i madh për ta kthyer faqen e këtij procesi nga negative në pozitive, nga pesimiste në optimiste. Sigurisht keqqeverisja, abuzimi me pushtetin, korrupsioni financiar e moral, nepotizmi e provincializmi në punësim, dështimet në arsim, ngecjet në shëndetësi, ekonomia gjithnjë në lëngim, çështjet e mprehta sociale, por edhe proceset e rënda politike si dialogu me Serbinë kanë lënë gjurmët e thella në krijimin e këtij ambienti politik e medial. Madje këta janë ndër faktorët kryesorë. Por, gjithashtu, një pjesë të madhe të kontributit në këtë situatë e ka edhe lufta e pakompromis për pushtet jo vetëm e atyre që kanë qenë e janë në pushtet, por edhe e atyre në opozitë, që nuk kanë lënë metodë pa përdorur për të ardhur në pushtet. Në këtë drejtim për njërën palë ato që konsiderohen si të arritura të vendit, për tjetrën trajtohen dështim; ato zhvillime që për njërën palë shihen vetëm bardhë, për tjetrën ato kanë ngjyrën e zezë. Sigurisht se sikur në çdo gjë tjetër në jetë, e vërteta është diku në mes dhe e ngjyrosur me më shumë ngjyra sesa vetëm bardhë e zi. Por tregimi i të vërtetës në këtë rast dukej dhe duket i padobishëm për të gjitha palët sepse, duke mos u brengosur për të, por për fitoren momentale, ata ishin dhe janë të vetëdijshëm se militantizmi që sjell fitoren krijohet dhe mirëmbahet vetëm në ekstremet politike. Dhe nuk ka gajle se këto fitore të tyre, janë “fitore të Pirros” për Kosovën. Popullizmi me tërë ngjyrat e veta e ka mbërthyer skenën tonë politike, të gjitha partitë kryesore, një pjesë të mirë të mediave, e të mos flas për rrjetet sociale dhe “patriotët kujdestarë” që nuk flenë natë e ditë nga “dashuria dhe dhembja” për Kosovën e kombin. Fatkeqësisht ky është një trend nëpër të cilën po kalon edhe bota demokratike, por duke qenë se ne jemi në fazat e konsolidimit të shtetit tonë të ri, pasojat për ne janë shumë të rënda. Ne nuk kemi luksin e popullizmit sepse ne vazhdojmë të kemi nevojën e konsensusit për të ecur para si shtet e si komb. Ta zëmë sfida e madhe që kemi si shoqëri e si shtet nga dialogu me Serbinë, nga rezultati i së cilës varet stabiliteti i shtetit dhe shoqërisë, nuk tejkalohet me sukses me popullizëm e betejë se kush është më patriot se tjetri, por me mençuri, maturi e konsensus. Por ndonëse askush nuk e mohon publikisht, në thelb askush nuk e synon konsensusin në shoqërinë tonë. Kjo madje po përsëritet edhe në përpjekjet për formimin e qeverisë së re në mes të dy partive që kanë dal të parat, LVV-së dhe LDK-së duke rrezikuar kështu që ta lënë vendin edhe për një kohë pa institucione dhe të na dërgojnë edhe njëherë në zgjedhje.

 

  1. Në këtë vit plot konflikte politike, energji negative, zgjedhje të cilat sollën ndryshime në skenën politike që gjithnjë për shkak të kësaj qasjeje refuzuese e konfliktuoze nuk po arrin të implementohet, madje ka rrezik të na fusë në cikël politik me plot të panjohura, pati shenja se shpresa nuk ka vdekur në shoqërinë tonë. Këto shenja treguan se shpirti i shoqërisë sonë në brendësi vazhdon të jetë plotë jetë e optimizëm. Kjo u pa më së miri nga solidariteti i shprehur në shoqërinë tonë me rastin e tërmetit në Shqipëri. Kjo fatkeqësish përfaqi tërë energjinë pozitive të fshehur në brendësinë tonë e cila shpërtheu si vullkan dhe e cila do të na duhej të na ndihmonte që të ri-ngriheshim si shoqëri. Ky shpërthim solidariteti për të ndihmuar bashkëkombësit përveç që ishte një mesazh politik, se ne jemi një, se të gjitha përpjekjet për të përçarë kombin, e mbi hirin e kombit shqiptar në Kosovë të ndërtohet një komb i stisur kosovar, ishte edhe një mesazh shoqëror e njerëzor. Të mbërthyer nga konfliktet e vazhdueshme të brendshme, beteja politike pa parime, nga gjuha e urrejtjes dhe urrejtja e çdo gjëje rreth nesh, shoqëria jonë dhe njeriu ynë, kishte nevojë për të dëshmuar se ka mbetur njeri përkundër të gjithë urrejtjes njerëzore në të cilën po jetojmë. T’ia shtojmë kësaj edhe luftën për ekzistencë, kapitalizmin e egër përcjell natyrshëm me rritjen e motiveve egoiste dhe ftohjen e natyrave tona njerëzore dhe vështrimin e të gjitha raporteve nën prizmin e interesave personale, atëherë ky shpërthim solidariteti ishte një përpjekje për ta përmbysur urrejtjen dhe për ta kthyer dashurinë, për ta injoruar egon dhe për ta dashur publiken e shoqëroren, për ta kthyer në jetën tonë solidaritetin ndër-njerëzor e shoqëror si një vlerë jo vetëm njerëzore, shoqërore e kombëtare por edhe universale. E solidariteti ka qenë ajo vlerë që ka mbajtur gjallë kohezionin tonë shoqëror e kombëtar në momentet më të rënda të ekzistencës sonë si komb si dhe ka mbajtur gjallë flakën e rezistencës në periudhat më të errëta të historisë sonë.

 

  1. Fatkeqësia në Shqipëri sikur nxori më të mirën nga ne, edhe pse nga pak në mënyrë kaotike e të paorganizuar e, po ashtu, me një eufori të zakonshme për shoqërinë tonë, por e kuptueshme në kontekstin e përpjekjeve për të shpërfaqur ndjenja pozitive e flakur negativitetin nga vetja. Duhet theksuar se edhe ndërhyrja e mekanizmave shtetërorë, sidomos FSK-së, policisë e zjarrfikësve në Shqipëri ishte për t’u marrë shembull. Ajo që çaloi fillimisht, si këtu ashtu edhe në Shqipëri, ishte organizimi i ndihmave dhe shpërndarja e tyre. Sidoqoftë, ky solidaritet që tregoi se ne si shoqëri në brendësinë tonë vazhdojmë të mbesim solidarë, ta duam tjetrin dhe të kujdesemi për tjetrin, do të mbetet vetëm një episod në jetën tonë nëse kjo nuk përcillet me krijimin e një ambienti që do t’i hapë rrugën përparimit shoqëror, zhvillimit të ekonomisë duke pasur parasysh barazinë e njerëzve, zhvillimin e arsimit, kulturës, sportit e shëndetësisë. E këto nuk mund të realizohen nëse do të ketë mungesë të zbatimit të ligjit dhe korrupsion që ndryshk lëvizjen përpara të shoqërisë. E për të ndodhur të gjitha këto na duhet një nivel tjetër i politikëbërjes. Një politikëbërje që jo vetëm bazohet në dije, guxim e zbatim të ligjit, por që bazohet edhe në dashurinë e idealizmin për atdheun dhe të mirën e përgjithshme dhe solidaritetin me njëri-tjetrin. Pa një klasë të tillë politike do ta kemi vështirë që të mirën brenda nesh ta shndërrojmë në të mirë të shoqërisë. Deri atëherë na mbetet të përpiqemi e të mos ndalemi si shoqëri që energjinë tonë të brendshme pozitive ta bartim edhe në politikë, njëkohësisht për ta gjetur rrugën e duhur që në krye të vendit dhe në krye të institucioneve të vendosim njerëzit me këto karakteristika.

Urime të gjithëve Viti i Ri 2020!

Shkruar enkas për “Epokën e re”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka…