Challandes: Kualifikimi i Kosovës në ‘Euro 2020’, historik për gjithë Evropën

03 janar 2020 | 18:25

Trajneri Bernard Challandes ka vlerësuar lart ngritjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ai ka thënë se nëse sigurohet kualifikimi në “Euro 2020” do të jetë historik jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë Evropën. “Shpresoj që mund të bëjmë këtë surprizë të madhe me kualifikim në evropian. Do të ishte historike jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë Evropën. Për mua do të ishte e njëjta histori si kur Greqia e fitoi kampionatin në Portugali”, ka thënë Challandes.

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Bernard Challandes, në intervistën për numrin festiv të gazetës “Epoka e re” ka folur për kohën që është në krye të “Dardanëve”. Ai është shprehur i lumtur për rezultatet dhe paraqitjet e Kosovës në Ligën e Kombeve, por edhe në kualifikueset për Kampionatin Evropian. Strategu zviceran e ka komentuar edhe ndeshjen gjysmëfinale në Ligën e Kombeve ndaj Maqedonisë Veriore, duke thënë se shanset janë 50 me 50 për kualifikim. “Ne kemi fituar grupin dhe tani kemi mundësinë, por nuk do të jetë lehtë sepse lojërat nuk luhen në Prishtinë. Maqedonia Veriore është një ekip i mirë dhe lojtarët e saj luajnë në Itali, Spanjë dhe Rusi. Edhe ne sikurse kundërshtari kemi një ekip të mirë dhe mendoj se shanset janë 50 me 50”, ka thënë Challandes, i cili kualifikimin eventual të Kosovës në Evropian e krahason me triumfin e Greqisë në vitin 2004.

“Epoka e re”: Trajner, viti 2019 po vlerësohet në Kosovë vit i sportit, konkretisht futbollit. Ju po konsideroheni meritori për rezultatet e pozitive të Përfaqësueses. Cili është komenti juaj?
Challandes: Jam i lumtur për këtë vit dhe për këtë “shpërblim” gjithashtu. Është nder i madh për mua ta pranoj këtë vlerësim, por për mua gjithmonë është e njëjta, suksesi i skuadrës në rend të parë. Mund të them se në fillim të aventurës sime me Përfaqësuesen kam folur për mundësinë e suksesit, por vetëm si ekip. ‘Ok’. Unë jam trajneri dhe pranoj vlerësime pozitive, por për mua është e rëndësishme të punojmë së bashku dhe më të rëndësishmit janë lojtarë të cilët kanë bërë një punë të shkëlqyer, kanë bërë lojëra të mira dhe praktikisht ne kemi zgjedhur një filozofi të mirë të lojës dhe të gjithë kanë qenë në pajtim me këtë filozofi që të punojmë së bashku. Për shembull, lojtarët ofensivë të punojnë në grup dhe tani kemi këtë rezultat. Mendoj se një trajner i mirë është një trajner që ka lojtarë të mirë në ekip, ka nevojë për ta dhe për këtë më duhet ta falënderoj edhe Federatën e Futbollit që na ka përkrahur për gjithçka. Falënderoi edhe stafin tim për punën e mirë. Pra, kjo është arsyeja e suksesit tonë.

“Epoka e re”: Kosova kishte një Përfaqësuese të re dhe pa përvojë të madhe në kohën kur ju e morët drejtimin e saj. A keni besuar se mund ta ngrehni nivelin e saj kaq lart, duke qenë edhe pretendente për kualifikim në Kampionatin Evropian?
Challandes: Qartë. Kam vendosur ta pranoj këtë kontratë pasi i kam studiuar lojtarët dhe kandidatët potencialë për ekip. Kjo ishte pas kampanjës në Rusi me Bunjakun. Mund të them se nuk ishte një kampanje e përkryer në aspektin e rezultatit, por nuk mendoj se ishte keq, sepse ishte fillimi dhe ai ka bërë një punë të mirë. Në këtë kohë, mënyra e parë ishte të krijojmë një ekip real, në fillim i pranon disa lojtarë dhe secili dëshironte të luante për vete, pra ky ishte një problem, sepse ishte diçka e re për lojtarët e Kosovës dhe të gjithë e kanë marrë ekipin përfaqësues për vete, duke thënë “unë” dhe jo duke mos menduar si “ne”, pra kjo ishte puna ime e parë. Kam parë se ne kemi lojtarë të mirë, kemi potencial me këta lojtarë, por vetëm nëse luajmë të bashkuar. Ekipi ishte i ri dhe lojtarët ishin në moshë të re si dhe mentaliteti i lojtarëve të Kosovës ishte ndryshe, prandaj pyetja ishte sa kohë më duhet për ta krijuar këtë ekip? Surprizë për mua ka qenë se ndodhi shpejt, lojtarët kanë pranuar shpejt mesazhin dhe filozofinë time dhe kemi punuar me këtë filozofi. Për një kohë të shkurtër kemi ndryshuar, e kemi pasur Ligën e Kombeve dhe fitorja nuk ka qenë pretendimi ynë. Ishte vetëm një mundësi e parë për ta zhvilluar këtë mentalitet si ekip. Në rregull, ne fituam në ligë, por në asnjë moment nuk e kemi menduar të fitojmë apo ta arrijmë kualifikimin në atë kohë. Gjithmonë kemi folur vetëm për përparim, për zhvillim të ekipit dhe jo për kualifikim. Mendoj se kjo ishte e mirë. Rasti i vetëm kur kishim problem me këtë filozofi ishte ndeshja kundër Çekisë. Ndoshta këtë ditë harruam të luajmë apo, më mirë të them, këtë ditë Çekia ishte më e mirë se ne dhe nuk na dha mundësinë ta kemi topin, të krijomë raste apo edhe të shënojmë. Ne jemi mbrojtur, kemi vrapuar dhe kemi luftuar, por nuk kemi luajtur lojën tonë. Kam folur shumë me skuadrën para kësaj loje dhe u kam thënë futbollistëve mos mendoni për kualifikim, luajeni lojën tonë, merrni përsipër rrezikun, krijoni nga mbrapa, por nuk ishte e mundur. Gjithmonë kemi luftuar sepse ky ekip është i mirë edhe me mentalitet të mirë, por që nuk ishte mjaftueshme për të fituar.

“Epoka e re”: Kosova në kualifikime zhvilloi edhe dy përballje me Anglinë dhe, përkundër rezultatit, paraqitja është vlerësuar pozitive në opinion. A ka qenë e mundur që rezultati të jetë më i mirë dhe të mos pranohen tre gola në dhjetë minutat e fundit?
Challandes: Ndaj Anglisë ishte një histori tjetër, por jam i kënaqur me dy ndeshjet sepse ne kemi luajtur, kemi krijuar dhe kemi pasur një përvojë të mirë. Kemi luajtur me disiplinë, lojë taktike për 80 minuta. Ishte vetëm 1-0 pas 80 minutave dhe tani është dashur të rrezikojmë për 1-1. Inkuadrova në lojë dy lojtarë ofensivë, të gjithë donin që të vinte ky gol dhe shpejt pranuam tre gola për shkak të organizmit të mbrojtës që nuk ishte e mirë. Kishim ndërmarrë një rrezik dhe Anglia është shumë e fortë në sulm e nëse i lejon hapësirë, normalisht se të dënon. Është e qartë se Anglia është më e fortë, por në atë moment ishte një mundësi për barazim apo për të bërë diçka më mirë, por unë isha i kënaqur me këtë mentalitet dhe e njëjta vlen edhe për të ardhmen.

“Epoka e re”: Kualifikimi në evropian nuk u arrit edhe përkundër rezultateve dhe paraqitjeve të mira në kualifikime. Megjithatë, është edhe një mundësi që një gjë e tillë të arrihet nëpërmjet Ligës së Kombeve. Në gjysmëfinale kundërshtar e kemi Maqedoninë e Veriut. Sa janë gjasat për ta kaluar fillimisht këtë kundërshtar?
Challandes: Më kujtohet mirë teoria e parë me ekipin në Paris para ndeshjes me Madagaskarin në muajin mars të 2018-s, ku kam folur lidhur me Ligën e Kombeve. Kam thënë se ne duhet të kemi një ëndërr që është kualifikimi në “Euro 2020”, pra një ëndërr dhe jo qëllim. Aty iu kam thënë futbollistëve se kjo ligë ta jep mundësinë e kualifikimit dhe shkuarjes në “play-off”. Isha i sigurt se mund ta fitonim grupin në Ligën e Kombeve, pasi ishte një mundësi për t’i mposhtur Azerbajxhanin, Maltën dhe Ishujt Faroe. Kisha një bindje se Azerbajxhani nuk ishte kundërshtar i lehtë, por jo edhe i pakalueshëm. Ne kemi fituar grupin dhe tani kemi mundësinë, por nuk do të jetë lehtë sepse lojërat nuk luhen si vendas ku kemi një përkrahje të fuqishme në Prishtinë. Maqedonia Veriore është një ekip i mirë dhe lojtarët e saj luajnë në Itali, Spanjë dhe Rusi. Edhe ne sikurse kundërshtari kemi një ekip të mirë dhe mendoj se shanset janë 50 me 50. Për ne ka shumë rendësi që t’i kemi të gjithë lojtarët e gatshëm, të mos kemi mungesa sepse nuk jemi skuadër si Franca, Gjermania apo Brazili që mund t’i zëvendësojmë mungesat dhe ta kemi ekipin e fortë. Pastaj është vetëm një lojë ku një gabim mund ta vendosë rezultatin e ndeshjes. Nëse e shohim nivelin e dy ekipeve, unë nuk kam frikë nga Maqedonia Veriore, por vetëm respekt. Në këtë ndeshje kemi nevojë ta luajmë lojën tonë dhe mos të bllokohemi duke menduar për rezultat dhe kualifikim. Futbollistët duhet të jenë të qetë dhe të luajnë sikurse dinë dhe atëherë mundësia është të fitojmë këtë gjysmëfinale.

“Epoka e re”: Po supozojmë se Kosova do ta kalojë Maqedoninë Veriore dhe në finale do të përballet me fituesin e ndeshjes Bjellorusia – Gjeorgjia. Cili është vlerësimi juaj për këto përfaqësuese dhe cilën do ta preferonit në finale?
Challandes: Bjellorusia dhe Gjeorgjia janë pothuajse të njëjta. Gjeorgjia ka bërë shumë për ekipin kombëtar që 10-15 vjet dhe është një ekip i mirë, nuk është kundërshtar i lehtë dhe këtë e them pasi e kam parë kur ishte në grup me Zvicrën. Mund të them se është ekip agresiv dhe shumë kompakt, por prapë nuk është Francë, Gjermani, Portugali apo Belgjikë. Edhe Bjellorusia është e njëjtë, por në të njëjtën kohë edhe ne kemi një ekip të mirë dhe kemi treguar që gjithçka është e mundur, prandaj kualifikimi është i mundur për Kosovën. Ka qenë një ëndërr, por tash është një qëllimi ynë. Për të arritur këtë qëllim duhet të kemi shumë mentalitet, teknikë, disiplinë dhe punë. Ne duhet të dimë si të luajmë, si të bëjmë presion, si të bëjmë kompakt në mbrojtje dhe sulm dhe jo të mendojmë se duhet patjetër të fitojmë. Gjithmonë duhet të kemi respekt për kundërshtarin, duhet të dimë se çka vjen prej një kundërshtari të tillë, por më e rëndësishmja është se çfarë do të bëjmë ne.

“Epoka e re”: Nëse arrini ta kualifikoni Kosovën në Evropian, a keni vendosur diçka rreth të ardhmes suaj?
Challandes: Kualifikimi nuk është ëndërr vetëm për ekipin, por edhe për mua si trajner. Nuk e di të ardhmen time. Në vitin 2020 mbushi 69 vjeç dhe e di se sa energji duhesh të kesh në këtë detyrë. Ndoshta mund të jetë Kampionati Evropian përfundimi i karrierës time. Kam mësuar në jetë që në shumë situata të mos planifikosh, sidomos në futboll, pasi është i paparashikueshëm. Fokusi im është për ekipin dhe kualifikimet dhe jo për të ardhmen time, por ju duhet të jeni të sigurt se kam kënaqësi të madhe që jam pjesë e këtij ekipi. Për të ardhmen time duhet të vendos, por më e rëndësishme është që ta ndiej kënaqësinë edhe të lojtarëve, dëshirën e stafit, federatës, sepse mua më pëlqen të punoj në harmoni. Nganjëherë e ke atë ndjenjën që ndoshta është koha të ndryshosh për faktin se një lojtar ka nevojë për një lloj tjetër diskutimi, tjetër mentalitet, fjalë të tjera nga trajneri. Ne po punojmë mirë së bashku, nganjëherë disa lojtarë nuk janë të lumtur kur nuk luajnë, por nuk është diçka specifike për Kosovën, është normale. Skuadra është e bashkuar, e ndiej dëshirën e lojtarëve kur ata vijnë këtu për secilën lojë, kjo është e rëndësishme për mua. Do të jetë e rëndësishme për mua edhe në momentin kur dua të vazhdoj me Kosovën, ta përfundoj karrierën, apo të vazhdoj në ndonjë ekip tjetër.

“Epoka e re”: Në muajin janar zhvillohet ndeshja miqësore me Suedinë. A do ta shfrytëzoni këtë ndeshje për të parë nga afër lojtarët e Superligës?
Challandes: Kemi pranuar këtë mundësi për të luajtur këtë ndeshje me Suedinë B, pasi është një ekip i fortë dhe ka lojtarë të ndryshëm që luajnë në skuadrat si Jaenkopins, Malmo ku bëjnë pjesë në një ligë të fortë. Neve na është dhënë një mundësi për të parë lojtarë të ri që luajnë edhe në ligën e Kosovës. Nuk ka rëndësi a luajnë në Prishtinë apo Bremen, por nëse luan në Bremen do të thotë se të rritet mundësia të luash në ekip, pasi për të luajtur në një skuadër të tillë duhet të jesh lojtar i mirë. E kam pranuar këtë ofertë për ndeshjen me Suedinë, sepse ne kemi menduar me drejtuesit e federatës se është një mundësi e mirë për të parë lojtarë që luajnë edhe në Kosovë. Nuk është problem vetëm për lojtarët në Kosovë, por kam propozime për lojtarët që luajnë edhe në mbarë Evropën. Unë gjithmonë them në rregull dhe pyes se për ku luan lojtari i propozuar. Kur marrë përgjigje se në ligën e dytë të Austrisë, pyes edhe për pozitën dhe kur kuptoj se është sulmues, atëherë bëjë krahasimin me lojtarët që kemi si Rashica që luan në Bremen, Muriqi në Fenerbaçe, Zeneli në Reims, Zhegrova tani po luan mirë në Basel, pastaj janë Celina, Berisha, Halimi etj. Në fillim ndoshta ka qenë më ndryshe, sepse kemi pasur nevojë ta ndërtojmë ekipin, kurse tani nuk është njëjta, dera është e hapur, por nuk është e lehtë të futesh brenda sepse tash kam krijuar një grup shumë të mirë. Për mua një lojtar gjithmonë mund të vijë, por jo vetëm sa për të marrë një tjetër. Ekipi ka avancuar dhe, po ashtu, edhe lojtarët të cilët po luajnë në klube të mira dhe është e vështirë që të fitohet një vend në 23-she.

 “Epoka e re”: A keni vërejtur ndonjë lojtar që aktivizohet në Superligën e Kosovës dhe që në të ardhmen mund të ishte pjesë e Përfaqësueses?
Challandes: Në këtë ndeshje e kam mundësinë për të parë disa lojtarë të tjerë. Ideja është të marr lojtarë për të ardhmen, për shembull Shabani është një lojtar që më pëlqen shumë, por është 33 vjeç dhe nuk mund ta ftoj pasi në atë pozitë kam Rashicën dhe Zhegrovën, prandaj është më mirë t’i jepet rasti një lojtari të ri. Unë i kam ndjekur disa lojtarë, por edhe flas me asistentin tim. Në Kosovë janë disa lojtarë të mirë në repartin e mbrojtjes si Bekteshi, Namani dhe Lladrovci, por problemi është se janë 27-28 vjeçar. Dera është e hapur për të gjithë lojtarët, por po e ritheksoj edhe një herë, konkurrenca është e madhe në ekip.

“Epoka e re”: Sigurisht se prej se jeni trajner i Kosovës keni përjetuar shumë çaste të mira, por cilin do ta veçonit?
Challandes: I kam pasur disa çaste të mira. Për mua janë dy situata, nganjëherë për mua është edhe vetëm një aksion, për shembull goli i parë i Zenelit kundër Azerbajxhanit, i cili ishte gol tipik i tij dhe shumë i rëndësishme si finale për të fituar. Na dha mundësi për të qenë këtu ku jemi. Pas atij goli kemi shënuar edhe tre gola të tjerë, por ajo lojë ishte e para më shumë emocion. Po ashtu, kemi luajtur edhe kundër Maltës dhe Ishujve Faroe, por me Azerbajxhanin këtu ishte finale dhe një moment madhështor dhe shumë i rëndësishëm, sepse tani jemi këtu falë asaj fitore. Ndeshja kundër Çekisë ishte, po ashtu, shumë e vështirë dhe goli i Vojvodës ishte në një moment kur Çekia bënte presion, por për mua nuk është vetëm momenti, është më shumë zhvillmi i skuadrës, mënyra e punës, prandaj mund të them se momenti im i mirë është i gjatë falë këtij ekipi.

“Epoka e re”: Po cili ishte momenti më i hidhur prej se jeni trajner i Kosovës?
Challandes: Momenti më i hidhur ka qenë kundër Çekisë sepse nuk gjetëm zgjidhje për lojën tonë jo për rezultatin, por për mënyrën që luajtëm. Në fund nuk isha i lumtur sepse kishim mundësi më të mira. Normalisht se nuk mund të kërkoj vetëm lojë të përkryer. Mungesa e Muriqit ishte e madhe. Besoj se Nuhiu ka bërë punë të mirë, ka punuar për ekipin, por Muriqi deri atëherë ka qenë një lojtar shumë me rëndësi për ne. Nuk kemi lënë shumë gjëra për t’u bërë pishman dhe nëse do të pyeteshim në fillim të kampanjës që do t’i luaj dy ndeshje të fundit për kualifikim, të gjithë do të thoshin se mund të jem i çmendur. Në fillim humbëm dy pikë këtu kundër Bullgarisë. Bullgarët kanë ekip të mirë dhe nuk është e lehtë të luash kundër tyre apo Malit të Zi. Nganjëherë frikësohem që kemi krijuar kaq shumë entuziazëm dhe eufori për këtë ekip saqë mund të harrojmë kush jemi.

“Epoka e re”: Kosova është vetëm dy ndeshje larg kualifikimit historik në Evropian. Cilat janë pritshmëritë e juaja për kualifikim si trajner?Challandes: Ne jemi Kosova, ne kemi një skuadër të mirë, kemi djelmosha të mirë dhe kemi zhvilluar lojëra të mira. Shpresoj që mund të bëjmë këtë surprizë të madhe me kualifikim në evropian. Do të ishte historike jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë Evropën. Për mua do të ishte e njëjta histori si kur Greqia e fitoi kampionatin në Portugali. Shpresoj që nëse shkojmë në Evropian, Rumania të arrijë kualifikim dhe në këtë situatë ne të ndryshojmë grup dhe të jemi në grup me Gjermaninë, Francën dhe Portugalinë.

/Veton ZYMBERI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka publikuar pamjen se si…