21 vjet nga fillimi i punës së KosovaPress-it

04 janar 2020 | 09:23

Sot mbushën 21 vjet nga fillimi i punës së Agjencisë së Lajmeve KosovaPress.

Më 4 janar të vitit 1999, si një nevojë e kohës dhe për të informuar për zhvillimet në Kosovë, u themelua Agjencia e Lajmeve KosovaPress, duke dhënë kontribut të madh në informimin e opinionit vendor dhe ndërkombëtar për luftën çlirimtare, krimet serbe dhe bombardimet e NATO-s.

KosovaPress-i gjatë luftës, lajmet i publikoi në gjuhën shqipe, angleze, gjermane dhe frënge.

Me shuarjen e Qeverisë së Përkohshme, në janar të vitit 2000 dhe krijimin e Këshillit të Përkohshëm Administrativ, u shuan të gjitha institucionet e krijuara nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, përkatësisht drejtoria politike e UÇK-së dhe Qeveria e Përkohshme.

Nga shtatori i vitit 2000, KosovaPress ka nisur rrugëtimin e saj si Agjenci e Pavarur e Lajmeve, duke u sfiduar gjatë këtyre viteve, fillimisht më mbijetesën, e pastaj edhe me zhvillimin.

Nga viti 2002, KosovaPress ka kaluar në sistemin me parapagim, fillimisht në gjuhën shqipe, e nga viti 2005 ka rifilluar në gjuhën angleze, ndërsa, në 2007 edhe në gjuhën serbe dhe turke. Në dhjetëvjetorin e themelimit (2009), KosovaPress solli në tregun medial të vendit, produktet më të reja: video-lajmin dhe audio-lajmin, ndërsa në 15 vjetorin e themelimit, hapi zyrën në Tiranë.

Në 16 vjetorin, si produkt të ri solli sektorin e fotove. Në vitin e 17-të, startoi me produktin e transmetimeve të ngjarjeve drejtpërdrejt. Transmetimet e drejtpërdrejta u realizuan me teknologjinë më të re të transmetimeve, përmes kamerave 4K. Ndërkohë që viti i ri do të sjell edhe një sërë projektesh të reja, që lidhen me punën profesionale dhe atë të teknologjisë. Ofrimi i këtyre produkteve, ka bërë që KosovaPress-in, të rrit edhe më shumë bashkëpunimin me mediat e vendit, të rajonit dhe të botës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Taksa 100 për qind ndaj prodhimeve serbe dhe atyre boshnjake…