Të ndalen agjenturat e lobeve për Termocentralin ‘Kosova e Re’

07 janar 2020 | 07:58

Njohësi i zhvillimeve ekonomike në vend, Safet Gërxhaliu, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se është e rëndësishme që sa më parë të formohet qeveria.

Ai ka thënë se promovimi i dialogut, analizimi i thuktë i taksës, ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”, “Trepça”, si dhe emërimi i atasheve ekonomikë duhet të jenë në fokusin e qeverisë së ardhshme.

Sa i përket Termocentralit “Kosova e Re”, ai ka thënë se duhet të ndalohen agjenturat e lobeve të caktuara.

“Qeverisja e ardhshme duhet ta ketë në fokus promovimin e raporteve qoftë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës apo me vendet e Bashkimit Evropian për ta vendosur veten në binarë të ardhmërisë, që duhet të jenë të fokusuar në zhvillim ekonomik dhe në përshpejtim të proceseve integruese në partneritet strategjik”, është shprehur ai.

Gërxhaliu ka thënë se duhet të analizohet me kujdes edhe taksa e vënë ndaj Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës. “Taksa duhet të analizohet mirë. Duhet të kemi vendime të analizuara. Dua të besoj se kabineti i ardhshëm qeverisës do të ketë ekspertë profesionalë, mirëpo nuk duhet të jetë temë vetëm taksa, pasi Kosova ka probleme edhe më të mëdha. Prandaj bëj thirrje për një dialog të mirëfilltë”, ka thënë ai.

(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkëpunëtori i gazetës “Epoka e re”, Lulzim Sahiti, ka postuar…