Ja çfarë thotë aktgjykimi i Kushtetueses nëse herën e parë dështon zgjedhja e Qeverisë

08 janar 2020 | 13:12

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) që nga 6 tetori janë duke negociuar për mundësinë e arritjes se koalicionit për bashkëqeverisje.

Pavarësisht kësaj, këto dy parti ende nuk kanë arritur pajtueshmëri për të bashkëqeverisur edhe pse Vetëvendosje më 26 dhjetor të 2019 ka arritur ta zgjedh Glauk Konjufcën kryetar të Kuvendit pa marrëveshje me LDK-në.

Tani kur është konstituuar Kuvendi i Kosovës, radhën e ka formimi i qeverisë.

Në këtë drejtim, presidenti Hashim Thaçi, më 6 janar e ka pritur në takim fituesin e zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit 2019, Albin Kurti, të cilit i ka kërkuar që ta paraqes mandatarin për kryeministër.

Madje, Thaçi i ka thënë Kurtit 48 orë afat për ta bërë një gjë të tillë. Ndaj këtij afati është përgjigjur Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka thënë se në ditët në vijim do t’ia paraqesin presidentit të nominuarin për kryeministër, raporton “Epoka e re”.

Në këtë kontekst, derisa nuk ka marrëveshje në mes të LV-së dhe LDK-së, si mund të rrjedhin gjërat sa i përket formimit të Qeverisë? Çfarë ndodh në rast se Kurti dështon ta formojë herën e parë? A ka të drejtë presidenti i Kosovës ta dominojë një kandidat tjetër jashtë partisë fituese?

Këto përgjigje i ka dhënë Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e 1 korrikut të vitit 2014, ku ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga kishte kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me kompetencat e presidentit të Republikës për zgjedhjen e Qeverisë.

Gjykata Kushtetuese në dispozitivin e aktgjykimit të saj në lidhje me këtë çështje ka vendosur:

“Presidenti Republikës, në bazë të nenit 95, paragrafi 1, të Kushtetutës, i propozon Kuvendit kandidatin për kryeministër të nominuar nga partia politike ose nga koalicioni që ka numrin më
të madh të vendeve në Kuvend”.

“Presidenti i Republikës nuk e ka diskrecionin të refuzojë caktimin e kandidatit të propozuar për kryeministër”.

“Në rast se kandidati i propozuar për kryeministër nuk merr votat e nevojshme, presidenti Republikës, në diskrecionin e tij/saj, në bazë të nenit 95, paragrafi 4, të Kushtetutës, emëron kandidatin tjetër për kryeministër, pas konsultimit me partitë ose me koalicionet (e regjistruara ne pajtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme) që kanë plotësuar kriteret e lartpërmendura, pra me parti ose me koalicion që është regjistruar si subjekt zgjedhor në pajtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, e ka emrin në fletëvotim të zgjedhjeve, ka marrë pjesë në zgjedhje dhe ka kaluar pragun”, është thënë në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas këtij aktgjykimi “nuk përjashtohet që presidenti i Republikës të vendosë t’i japë partisë ose koalicionit të parë, sipas nenit 95, paragrafi 1, të Kushtetutës, mundësinë të propozojë kandidatin tjetër për kryeministër”.

Aktgjykimin e plotë mund ta lexoni në këtë link: http://gjk-ks.org/wp-content/uploads/vendimet/KO103-14_SHQ_aktgjykim.pdf.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Safet Gerxhaliu, ekspert i ekonomisë, thotë se sektori privat do…