Haziri: Pozita e presidentit ishte për ta shmangur krizën politike

09 janar 2020 | 20:54

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, në “Rubikon” të KTV-së ka thënë se nuk është kryer marrëveshja me Vetëvendosjen, derisa ka theksuar se çështja e presidentit ishte për ta shmangur një krizë politike.

Ai ka thënë se tani çështja e kryetarit të Kuvendit është problem, derisa thekson se duhet të sqarohen të gjitha çështjet deri në fund në mënyrë që të arrihet marrëveshja finale. “Krejt këto parime që i kemi vendosur vetë ndoshta u japin vështirësi bisedimeve pasi nuk kemi opsione të tjera (për të bërë koalicion me të tjera parti). Kryetari i Kuvendit është problem. Në nivel ekzekutiv duhet të sqarohen deri në fund. Sikur të mund të arrinim deri te një zgjidhje finale. Ne jemi duke vazhduar të trajtojmë çështje të tjera që janë në vijën e njëjtë me përgjegjësitë që kemi”, ka thënë Haziri.

Ai thotë se çështja e presidentit mund të jetë problem në marsin e vitit të ardhshëm, pasi potencialisht edhe mund të shkohet në zgjedhje. “Pesë javë na kanë mbajtur për çështjen e presidentit. Ne po tentojmë të sqarojmë me i zbardhë të gjitha përgjegjësitë tona. Është shumë e rëndësishme se kush kanë me qenë implementues. Në mars të vitit të ardhshëm ose duhet me e zgjedhë presidentin, ose e merr opozita, ose shkojmë në zgjedhje”, ka thënë Haziri.

Ai thotë se derisa nuk ka marrëveshje finale atëherë nuk vlen asnjë marrëveshje e deritanishme. “Përveç që nuk është përfunduar marrëveshja, në parim jemi pajtuar. Përderisa nuk ka marrëveshje finale nuk vlen asnjë pjesë e marrëveshjes. Ne e kemi votuar kreun e Kuvendit, pse duhet ta komentojmë një votë që LDK-ja e ka kryer. Ajo është kryer njëanshëm dhe pa marrëveshje. Tash partnerët nuk mund të kenë implementim të njëanshëm të marrëveshjes pa dokument. Marrëveshja nuk është punë e kryer. Është kryer një punë e procesit, mandej Kuvendi e ka punën për ta zgjedhë Qeverinë”, u shpreh Haziri.

Haziri insiston se tani LDK-ja nuk e ka asnjë pozitë të rëndësishme, pasi LDK-ja ka marrë kryeparlamentarin dhe kryeministrin.

Ai thekson se LDK-ja nuk është trampolinë për partitë e tjera. Ai ka shtuar se pa LDK-në nuk ka zgjedhje e as zgjidhje në Kosovë. Haziri ka thënë se zgjedhjet e reja nuk janë opsion.

“Besoj se ka kapacitete dhe vullnet për ta përballuar këtë marrëveshje”, është shprehur Haziri.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare, ka thënë se klubi…