Pelosi do t’i dërgojë në Senat akuzat kundër Trumpit

13 janar 2020 | 11:22

Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, e udhëhequr nga demokratët, do të vendosë të martën se kur do t’ia dorëzojë Senatit akuzat kundër presidentit Donald Trump, ka thënë kryetarja e Dhomës, Nancy Pelosi.

Duke folur për lajmet në “ABC”, Pelosi ka thënë se do të zhvillohet një votim për kohën e dorëzimit të akuzave.

Trumpi, republikan, akuzohet për shpërdorim të detyrës dhe pengim të punës së Kongresit.

Dhoma e Përfaqësuesve i ka ngritur akuzat formale kundër tij në muajin dhjetor, ndërsa gjykimi kalon tani në Senat.

Nëse Senati e shpall fajtor, gjë që thuhet se ka pak gjasa pasi ky institucion kontrollohet nga republikanët, Trumpi do të shkarkohej nga detyra.

Trumpi ka këmbëngulur se nuk ka bërë asgjë të keqe dhe hetimet kundër tij i ka quajtur “gjueti shtrigash”.

Trumpi akuzohet se i ka bërë presion Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për Joe Bidenin, i cili mund të jetë rival i tij në zgjedhjet e nëntorit.

Në këmbim të favoreve nga Ukraina, Trump akuzohet se ka mbajtur dy gjëra pezull: ndihmën ushtarake për Ukrainën, në vlerë prej 400 milionë dollarësh, dhe një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas.

Me këto veprime, sipas demokratëve, Trumpi ka abuzuar me pushtetin, pasi ka përdorur zyrën e presidentit për përfitime politike personale dhe në dëm të sigurisë kombëtare.

Trumpi akuzohet edhe për pengim të punës së Kongresit, pasi ka refuzuar të bashkëpunojë në hetime.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sylë Ukshini Më 11 janar u mbushën 6 vjet nga…