Vlera e mallrave të liruara për prodhues në import për vitin 2019 është 370 milionë euro

15 janar 2020 | 16:39

Bazuar në politikat fiskale në vitin 2019 vlera e mallrave që janë importuar me zero taksa në import për prodhuesit e Kosovës në vitin 2019  ka qenë 370 milionë euro apo 10.5 për qind e totalit të vlerës së importi në 2019. Kështu është bërë me dije në një njoftim të Doganës së Kosovës.

“Ndikimi në taksat në import që i referohen mallrave të liruara për  prodhuese përgjatë vitit 2019 është rreth 81.5 milionë euro, që paraqet një rritje prej rreth 9.7 për qind krahasuar me vitin paraprak 2018. Nga kjo shumë prej 81.5 milionë euro,  ndikimi në taksën doganore ka qenë  9 milionë euro, 11.5 milionë euro në taksën e akcizës dhe 61 milionë euro  në TVSH”, është thënë në njoftimin e Doganës.

Sa i përket MSA-se, Dogana ka bërë me dije se ndikimi në të hyra nga MSA-ja përgjatë kësaj periudhe është rreth 64 milionë euro apo rreth 47 për qind më shumë se sa periudha e njëjtë e vitit paraprak 2018. “Gjithashtu ndikim në të hyra ka pasur edhe marrëveshja e tregtisë së lirë me Turqinë që ka hyrë në fuqi më 1 shtator 2019, ku efekti në të hyra në import nga kjo marrëveshje për katër muaj ishte në vlerë 2.5 milionë euro. Totali i  lirimeve për prodhues, ndikimi i MSA-së dhe MTL me Turqinë për vitin 2019 kanë pasur efekt 148 milionë euro në taksat importuese. Shpresojmë se ndikimi i këtyre politikave fiskale, MSA-së, Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, ka pasur efektin e vet pozitiv në ekonominë kosovare, për prodhuesit kosovar në ngritjen e kapaciteteve të tyre prodhuese, në zëvendësimin e produkteve në import dhe rritjen e eksporteve të produkteve kosovare drejtë vendeve tjera”, është theksuar në njoftimin e Doganës.

/Epoka e re/

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbështetur në planin e punës së Qendrës për Punë Sociale…