Qalaj: Viti 2019 ishte i suksesshëm për policinë

16 janar 2020 | 11:56

Policia e Kosovës ka prezantuar të arriturat, statistikat dhe aktivitetet policore që ka zhvilluar gjatë vitit 2019.

Drejtori i përgjithshëm i policisë, Rashit Qalaj, ka thënë se viti 2019 ka qenë i suksesshëm për këtë institucion.

“Kemi bërë një punë mjaftë të madhe në parandalimin e veprave penale, kemi ofruar siguri për të gjithë qytetarët si dhe kemi tejkaluar një mori sfidash. Konsideroj se sfidat janë tejkaluar mjaft mirë edhe në bashkëpunim me institucionet tjera. Kemi arritur që të zvogëlojmë krimin, sidomos në fushën e veprave penale, kemi arritur që të merremi me shumë hetime mjaft komplekse të veprave penale të ndryshme qoftë në fushën e terrorizmit, apo të krimeve të rënda”.

“Viti 2019 është një nga vitet më të suksesshme të Policisë se Kosovës dhe besoj se me këtë trend do ta vazhdojmë edhe këtë vit, në mënyrë që të kemi bashkëpunimin me qytetarët dhe të ofrojmë siguri. Qysh në fillim të vitit kemi ndërmarrë disa hapa me ndryshimin e strukturës pastaj me plotësimin e personelit dhe eprorëve, në kuadër të strukturës organizative”, ka thënë Qalaj në një konferencë për medie.

Më tutje, Qalaj ka theksuar se policia ka trajtuar një numër të madh të lëndëve bashkë me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).

Në këtë konferencë është bërë me dije se numri i aksidenteve të trafikut ka pësuar rritje për 2.17 për qind krahasuar me vitin paraprak, kjo krahas rritjes prej 11.09 për qind në shqiptimin e gjobave.

Sa i përket krimeve të rënda dhe krimit të organizuar, shqetësuese sipas policisë mbetet trafikimi me narkotik, ku janë trajtuar mbi 1 mijë raste, janë neutralizuar 37 grupe kriminale si dhe janë konfiskuar sasi të konsiderueshme të narkotikeve.

Gjithashtu është thënë se viti 2019 ka shënuar rritje të veprave penale të krimeve kibernetike, krimeve ekonomike dhe atyre me fajde.

Sipas policisë në vitin që e lamë pas ka shënuar rritje te konsiderueshme edhe të kalimit ilegal të kufirit nga ana e shtetasve të vendeve të treta.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë nënshkruar zyrtarisht marrëveshjen ekonomiko-tregtare…