Haziri: LV-ja të udhëheqë qeverinë e LDK-ja Kuvendin për t’i dhënë fuqi koalicionit

26 janar 2020 | 18:11

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se ndarja e drejtë dhe e balancuar e pushtetit mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku VV-ja do të udhëhiqte me Qeverinë e LDK-ja me Kuvendin, do t’i jepnin fuqi një koalicioni potencial mes dy partive.

Sipas tij, kjo ndarje do t’i jepte mirëbesim e shkathtësi për t’u përballur me situatën politike karshi faktorit ndërkombëtar.

“Një ndarje e drejtë dhe e balancuar e pushtetit mbi parimet e mirëbesimit do të bënte që programi qeverisës, me VV’në udhëheqëse të Qeverisë e LDK’në udhëheqëse të Parlamentit, do t’i jepnin fuqi koalicionit. Do t’i jepnin mirëbesim dhe shkathtësi për t’u përballur me situatën politike, pasi agjenda politike është jashtëzakonisht e rëndë karshi faktorit ndërkombëtar, karshi opozitës së organizuar, karshi Qeverisë së re”, ka shkruar Haziri në profilin e vet në “Facebook”.

Haziri e ka quajtur LDK-në gardiane të interesave të Kosovës, teksa ka shtuar se kjo parti të tjerët i sheh si rivalë politikë e jo si armiq.

“E kaluara në bashkëqeverisje ka dëshmuar qartë se ne jemi gardianë të interesave të kësaj republike përmes LDK’së dhe vetëm përmes LDK’së. Partitë e tjera politike nuk i shohim si armiq, por si rivalë politikë”, ka shtuar Haziri.

Tutje Haziri ka thënë se duhet të punohet shumë që në vend të kthehet besimi i qytetarëve.

“Do të ketë nevojë të punohet 24 orë në ditë e 7 ditë në javë në mënyrë që të kthehet besimi i qytetarëve, mërgimtarëve dhe ndërkombëtarëve në republikë”, ka shtuar Haziri.

Teksa ka apeluar për durim, Haziri ka thënë se “këto konsultimet e brendshme na mundësojnë që të eliminojmë çdolloj pengese dhe çdolloj bombe të kurdisur të mandatit 4+”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një 19-vjeçar ka mbetur i vdekur pasi është therur me…