LDK-ja kërkon dorëheqjen e Ahmetit, thotë se po keqqeverisë

28 janar 2020 | 13:53

Grupi i asamblistëve komunalë të LDK-së në Prishtinë, ka mbajtur konferencë për medie, në të cilën ka akuzuar kryetarin Shpend Ahmeti për keqqeverisje dhe keqmenaxhim.

Asamblisti i LDK-së në Komunën e Prishtinës, Shefqet Osmani, ka theksuar se performanca menaxhuese e Shpend Ahmetit po del të jetë ashtu siç e kanë analizuar.

“Ne kemi ngritur nga vitin e kaluar shqetësimin rreth performancës menaxhuese të kryetarit Shpend Ahmeti dhe paaftësisë se tij në drejtimin e Komunës se Prishtinës. Në bazë të parashikimeve dhe analizave del të jetë se parashikimi i shpenzimeve në parametrat e projektua po del të jetë i saktë”.

“Në periudhën janar-dhjetor 2019 janë paraqitur të dhëna skandaloze e që me e theksuara është mosshpenzimi i buxhetit. 28 milionë nuk është përfundimtare për vitin 2020. Mjetet nga paaftësia e tij kthehen në buxhetin e Republikës së Kosovës. Bazuar në pasqyrat raportuese shkëputur nga Raporti financiar i buxhetit të Komunës se Prishtinës kjo tepricë po bëhet në kohën kur komunës po i mungon qeverisje cilësore dhe e përgjegjshme, një qeverisje që punon për qytetarin dhe rregullon mirëqenien e tij. Dështimet e kryetarit dhe qeverisë së tij vërehen nga çdo aspekt e veçanërisht në pasqyrat raportuese financiare”, ka thënë Osmani.

Më tutje, ai ka thënë se Ahmeti ka dështuar edhe në planifikimin strategjik dhe në urbanizëm.

“Kryetari Ahmeti ka dështuar tërësisht dhe në planifikim strategjik dhe urbanizëm, ku nga 800 mijë euro planifikim janë shpenzuar vetëm 12 për qind të buxhetit të planifikuar. Shpenzimet kapitale ishin vetëm 32 për qind e jo 40 për qind siç paraqitet në raport. Inkasimi i faturimit të mbeturinave është realizuar vetëm 47 për qind apo 2.4 milionë euro më pak”, ka thënë Osmani.

Pas gjithë këtyre dështimeve, ai ka thënë se Shpend Ahmeti do duhej të jepte dorëheqje dhe të kërkonte falje publike.

“Shpend Ahmetit i ka humbur rruga në oborr. Nëse i ka mbet veç pak moral dhe ndërgjegje, Shpend Ahmeti do të duhet së paku të dorëhiqet nga pozita e kryetarit dhe të kërkojë falje publike”, është shprehur ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka uruar botuesin Muhamet Mavraj…