Thaçi, Borrellit: BE-ja bëri gabim strategjik për mosliberalizimin e vizave

30 janar 2020 | 13:38

Presidenti Hashim Thaçi ka thënë se vizita e përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell është një mesazh që tregon për vëmendjen që e ka Bashkimi Europian për Kosovën dhe gjithë rajonin.

“Ne e zhvilluam një bisedë të shkëlqyer për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor – për të ardhmen evropiane. Është një mesazh i fuqishëm vet vizita e parë që Josep Borell e zhvillon në Kosovë për të vazhduar tutje në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe kjo tregon rritjen e vëmendjes së Bashkimit Europian për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor”..

“Në një moment vendimtar për të ardhmen e vendit tonë, për integrimet euroatlantike, për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve të vendit. Një vizitë e tillë është shumë e mirëseardhur”, ka thënë Thaçi.

Ai ka theksuar se orientimi strategjik i Kosovës është shumë i qartë dhe se janë duke punuar fuqishëm që vendi ynë të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së.

“Në këtë drejtim Kosova po punon fuqishëm në implementimin e të gjitha reformave – qoftë në ekonomi, politikë apo legjislacion, por edhe në kryerjen e obligimeve që ka për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”.

“Edhe në këtë proces kërkohet përkushtim i të gjitha palëve të involvuara në proces, veçanërisht besim i ndërsjellë dhe vlerësim. Ky besim duhet të avancohet në bazë të meritave”, ka thënë Thaçi.

Më tutje, Thaçi ka shprehur zhgënjimin e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës për mosliberalizimin e vizave.

Ai ka thënë se është i hapur dhe i sinqertë kur thotë se Bashkimi Europian ka bërë një gabim strategjik me mosliberalizimin e vizave për Kosovën.

“Për fat të keq biseduam me Borrell dhe e informova në veçanti sa i përket procesit të liberalizimit të vizave Kosova është trajtuar padrejtësisht, sepse Kosova ka implementuar në tërësi të gjitha kriteret që të ndodhë liberalizimi i vizave për Kosovën”.

“Shpreh edhe njëherë sot zhgënjimin e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës për mosnxjerrjen e vendimit nga ana e Bashkimit Europian për liberalizimin e vizave për Kosovën”.

“Në veçanti kur kemi parasysh se kemi të bëjmë me vlerësim të standardeve jo të njëjta me vendet e tjera në rajon kur disa prej atyre vendeve kanë problem me funksionim të demokracisë, me sundim të ligjit, respektimit të të drejtave të njeriut, funksionimin e lirë të medieve dhe trajtohen në mënyrë më të afirmuar se sa Kosova që është shembull i demokracisë në rajon”.

“E ritheksoj edhe sot, sepse dua të jem i hapur dhe i sinqertë, që BE ka bërë një gabim strategjik me mosliberalizimin e vizave me Kosovën. Ky izolim dhe diskriminim i Kosovës është krejt i padrejtë, sepse po e pengon të ardhmen evropiane”, ka deklaruar Thaçi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njëri prej Kikboksierëve më të mirë shqiptar të të gjitha…