Përkujtohen të rënët në masakrën e vitit 2000 në Mitrovicë

04 shkurt 2020 | 16:16

Nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe në bashkëpunim me Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut është mbajtur të martën akademia përkujtimore kushtuar 20-vjetorit të masakrës së 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, në të cilën ishin vrarë dhjetë shqiptarë, duke përfshirë fëmijë, gra e pleq.

Në këtë akademi ka marrë pjesë edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, nënkryetari i Mitrovicës, Faruk Mujka, drejtorë të drejtorive komunale, asamblistë, familjarë të viktimave, dhe një numër i shumtë i qytetarëve.

Me këtë rast, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se në Mitrovicë edhe pas përfundimit të luftës nuk ka mbaruar lufta, pasi nuk janë ndalë luftimet dhe sulmet e ndryshme. “Mëngjesi i 4 shkurtit i gjeti banorët e Mitrovicës në një gjendje lufte, ku morën vesh se janë ekzekutuar 10 qytetarë të pafajshëm. Ne si shtet i Kosovës, dhe si institucione iu kemi shumë borxh këtyre familjeve të cilat vuajtën edhe pas çlirimit, ne duhet të qëndrojmë pranë tyre, sepse kanë dhimbje e pikëllim të madh për familjarët e tyre”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, pasi ka përshëndetur kryeministrin Kurti dhe pjesëmarrësit tjerë për prezencën e tyre në këtë akademi, ka ngushëlluar familjarët e viktimave për tmerrin e ndodhur para 20 vjetësh, duke thënë se forcat e pushtuesit serb kanë terrorizuar në banesat dhe shtëpitë e tyre shqiptarët e pafajshëm, të cilët nuk e kishin pritur një gjë të tillë.

Më tutje, Bahtiri ka bërë me dije se Komuna e Mitrovicës do të ndërtojë së shpejti një shtëpi për familjen e Gani Xhakës, i cili ka humbur gruan e tij gjatë masakrës së 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000.

Në fund të kësaj akademie, kryetari i Qendrës Rajonale të KMDLNJ në Mitrovicë, Halit Barani, ka folur me të dhëna të sakta për pasojat e krimit serb gjatë natës së 3 dhe 4 shkurtit.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se në Qendrën e Mjekësisë…