Ismajli e Zeka takohen për projektin “Duaje liqenin tuaj”

05 shkurt 2020 | 14:21

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka pritur në takim pune drejtorin ekzekutiv të Agjencisë për Zhvillim Rajonal Lindje, Agim Zeka, me të cilin ka biseduar lidhur me projektin “Duaje liqenin tuaj”, projekt ky që kjo agjenci do ta implementojë në liqenin e Livoqit, në kuadër të “Empower-Engage-Build Ownership” të financuar nga Zyra e BE-së, përmes Balkan Green Foundation (BGF), në partneritet me INDEP.

Ismajli ka njoftuar se ky projekt do të jetë në kohëzgjatje prej gjashtë muajsh, ndërsa objektiv i përgjithshëm i tij është ngritja e vetëdijes dhe vullnetarizmit qytetar për ruajtjen e ujërave dhe mjedisit. “Objektivat specifike të projektit janë largimi i mbeturinave nga liqeni i Livoqit dhe krijimi i një ambienti të këndshëm për vizitorë. Ndërsa, si aktivitet kryesor do të jetë organizimi i vullnetarëve për pastrimin e liqenit të Livoqit si dhe vendosja e shenjave informuese, duke përfshirë edhe vendosjen e panove informuese për llojet e peshqve që jetojnë në këtë liqe”, ka deklaruar Ismajli pas takimit.

Përmes këtij projekti, planifikohet pastrimi dhe mirëmbajtja e liqenit të Livoqit prej muajit mars deri në muajin korrik të këtij viti.

Përfitues nga ky projekt do të jenë të gjithë qytetarët e komunës së Gjilanit sepse përmes këtij projekti do të krijohet një ambient i pastër dhe një destinacion për aktivitete të ndryshme rekreative dhe sportive.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kushte të vështira atmosferike, gjatë gjithë kohës mbi 550…