Shefja e BE-së në Kosovë: Dëshirojmë vazhdimin e bisedimeve me Serbinë

05 shkurt 2020 | 15:31

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Natalyia Apostolova, ka thënë se organizata që përfaqëson dëshiron vazhdimin e dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

Duke iu referuar taksës 100 për qind, ajo ka thënë se BE-ja do të pres propozime nga qeveria e re se si do ta trajtojë këtë çështje

“BE-ja deri në nivelet më të lartë të udhëheqjes ka shprehur mendimin e vet për taksën. Konsiderojmë se taksa ka shkel bashkëpunimin ndërkombëtar, siç është CEFTA. Kemi dërguar letra. Tash presim që Qeveria e re të dalë me propozime dhe ide se si do ta trajtojnë këtë çështje. Dëshirojmë që bisedimet me Serbinë të vazhdojnë. Për ne me rëndësi është që dialogu të vazhdojë”, ka thënë Apostolova në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Më tutje, ajo ka thënë se BE-ja dëshiron që Kosova të ketë institucione të forta.

“Duam që qeveria dhe ministrat të jenë të përgjegjshëm. Duam të shohim institucione të forta. Komisioni Evropian ka njoftuar për një ideologji të re që ka të bëjë me zgjerimin e rajonit. Është një fillim shumë i mirë për Ballkanin dhe Kosovën në veçanti”, ka deklaruar ajo, duke shtuar se BE-ja do ta përkrah Kosovën.

“Marrëveshjet tona kontraktuale janë me MSA-ja dhe Agjendën Evropiane për Reforma, ku presim që faza e dytë të fillojë. BE-ja do ta ndihmojë gjithmonë Kosovën. E tëra ajo që jemi pajtuar është për Kosovën dhe popullin e saj”, ka thënë Apostolova.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Qeveria e re e Kosovës duhet të ketë prioritet zhvillimin…