Ruçi pas takimit me Kurtin: Kosova do t’i tejkalojë me sukses sfidat nën kryeministrit të ri

11 shkurt 2020 | 13:48

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, ka pritur në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili ka qenë për vizitë zyrtare në Tiranë.

Ruçi duke e uruar Kurtin për postin e ri, ka thënë se beson që nën udhëheqjen e tij Qeveria e Kosovës do t’iu bëjë ballë sfidave të reja.

“Nën lidershipin tuaj, Qeveria e Kosovës do t’i përballojë me sukses sfidat e vështira të zhvillimit, integrimit dhe fuqizimit të rolit e kontributit të Kosovës si një faktor paqeje, sigurie e stabiliteti në rajon. Sakrificat tuaja si politikan konsekuent janë një garanci për realizimin e këtij misioni dhe vënien në jetë të programit ambicioz qeverisës”, ka thënë Ruçi.

Ruçi ka theksuar se Kuvendi i Shqipërisë do të jetë si gjithmonë në mbështetje të bashkëpunimit midis të dy vendeve dhe do të nxisë edhe më tej bashkëpunimin ndërqeveritar.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti ka falënderuar Ruçin për mbështetjen e vazhdueshme të Kuvendit dhe të tijën personale ndaj bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri dhe vuri në dukje se ky bashkëpunim do të forcohet edhe më tej.

“Ne do të bashkëpunojmë me Qeverinë e Shqipërisë për lehtësimin e procedurave për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara midis të dy vendeve, nënshkrimin e marrëveshjeve të reja si edhe lehtësimin e qarkullimit të mallrave e shërbimeve midis Shqipërisë dhe Kosovës”, është shprehur Kurti.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Monika Kryemadhi, ka…