Haradinaj: FSK-ja ka mandat të plotë në tërë territorin e Kosovës pa asnjë kufizim

26 shkurt 2020 | 16:14

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur lidhur me publikimin e letrës së sotme nga kryeministri Albin Kurti, ku shihej një letërkëmbim mes Hashim Thaçit në kohën sa ishte kryeministër mesekretarin e Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen.

“Për të evituar populizmat dhe shqetësimet e ngritura sot rreth letrës 2013, dhe implikimeve të mundshme ligjore e Kushtetuese, siguroj qytetarët e Kosovës se sot FSK-ja ka mandat të plotë në tërë territorin e Kosovës, pa asnjë kufizim”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Haradinaj ka thënë se marrëdhënia me NATO-n për Kosovën është ekzistenciale, dhe duhet të ruhet e kultivohet me urtësi e mençuri, gjithnjë duke respektuar të kaluarën dhe mandatin në fuqi.

Haradinaj thotë se Kurti po luan për populizëm me një letër të vitit 2013, ndërkohë që vet i ka votuar Ligjet për FSK-në.

Postimi i plotë i tij:

Pas punës maratonike të sigurimit të mbështetjes së ShBA-ve e partnerëve kryesor brenda NATO-s si dhe të parapërgatitjes e dërgimit të 3 ligjeve për transformimin e FSK-së në ushtri për votim në Kuvendin e Kosovës, me 9 janar 2019 kam shkruar edhe këtë letër drejtuar Sekretarit të NATO-s Jens Stoltenberg, në të cilën e njoftoj për mandatimin historik të transformimit të FSK-së si forcë multietnike e profesionale në Ushtri të Kosovës, duke e falënderuar për bashkëpunimin e misionin 20-vjeçar në sigurimin e ruajtjes dhe paqes në Kosovë.
Qëllimi i letrës ishte të njoftohet se pas votimit të ligjeve në Kuvend, zhvleftësohen kufizimet territoriale në letrën së ish-KM Thaçi në vitin 2013, dhe i bëj ftesë NATO-s që përmes KFOR-it të nënshkruajmë protokoll të ri bashkëpunimi operacional, këtë herë pa kufizime territoriale.
Për të evituar populizmat dhe shqetësimet e ngritura sot rreth letrës 2013, dhe implikimeve të mundshme ligjore e Kushtetuese, siguroj qytetarët e Kosovës se sot FSK-ja ka mandat të plotë në tërë territorin e Kosovës, pa asnjë kufizim. Në këtë letër, po ashtu i bëj ftesë NATO-s/KFOR-it që të adaptojmë marrëdhënien tonë, pas votimit të 3 Ligjeve në Kuvend, dhe të draftojmë procedurat e reja operacionale për bashkëpunim gjithëpërfshirës pa kufizime territoriale.
Marrëdhënia me NATO-n për Kosovën është ekzistenciale, dhe duhet të ruhet e kultivohet me urtësi e mençuri, gjithnjë duke respektuar të kaluarën dhe mandatin në fuqi.
Me marrëdhëniet tona strategjike nuk bën të luhet për disa tituj populist.
Lexoni Ligjet që kemi votuar dhe aty i keni të gjitha përgjigjet.
Kryeministri Kurti i ka këto korrespodenca në dispozicion të plotë në Kryeministri, po ashtu i ka votuar ligjet ku FSK-ja mandatohet pa kufizime territoriale në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës, dhe do të duhej të jetë i vetëdijshëm tashmë se sa historik për përmbylljen e brendshme të sovranitetit të Kosovës ka qenë përgatitja, dërgimi, dhe votimi unanim i Ligjeve të FSK-së në dhjetor 2018.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kejvina Kthella ka kthyer të gjithë vëmendjen nga vetja ditën…